Nën sloganin “çelma derën”, Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka paralajmëruar protesta për ditën e nesërme për të kërkuar lehtësimin e masave. Protesta do të mbahet në orën 18:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, tha se kanë kërkuar një takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia për të diskutuar për lehtësimin e masave, ashtu siç edhe ishin dakorduar, porse kjo nuk ka ndodhur. Ai tha se më nuk ka kohë për të humbur pasi që numrat e të infektuarve me COVID kanë rënë dhe vera është afruar.
Kllkoqi në konferencën për media të hënën tha se hapja duhet të bëhet tani dhe jo për fushata politike.
“Nesër me 25 maj në ora 18:00 kemi ftuar të gjithë gastronomët në sheshin ‘Skënderbeu’ pranë Qeverisë së Kosovës për një protestë ose event ‘pakënaqësie’. Kufijtë janë të hapur, masat lehtësues janë krijuar në të gjithë rajonin dhe botën ndërsa ne po vazhdojmë me kufizime. Masat po iu themi që t’i lirojnë tani kur jemi pranë remitencës dhe pranë ardhjes së diasporës dhe jo kur t’i kanë interesat e veta për fushata politike dhe për zgjedhjet lokale. Nuk është më zgjidhje me prit atë kohë, sepse tani jemi në prag të verës dhe nuk duam ta humbim edhe verën e dytë, dhe shtetet tjera të na marrin diasporën tonë. Jemi duke folur me një kohë ku jemi me më pak se 1 përqind të rasteve, jemi duke folur ku janë diku rreth 20 raste në ditë dhe në një kohë shumë më të relaksuar për hapjen e grastronomisë apo hapjen e verës. Nuk po dalim në protestë për të dëmtuar pronat e shtetit, ne po dalim të bëjmë një protestë apo event pakënaqësie e cila është një e drejtë kushtetuese e jona”, tha Kllokoqi.
Kllokoqi derisa ka ritheksuar kërkesën për hapjen e gastronomisë ka nënvizuar se nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë atëherë do ta hapin vet gastronominë.
“Ne me ministrin Arben Vitia kemi bërë një deklaratë të përbashkët ku u dakorduam se nëse bien numrat do të shkohet rreth rrethanave lehtësuese. Kjo nuk ndodhi dhe e pritëm për 3 javë rreshtazi duke i ftuar e duke i’u thënë që bashkërisht t’i dizajnojmë masat e reja ose të shkojmë drejt hapjes, mirëpo hasëm në vesh të shurdhër, nuk na u përgjigjen. Kështu që neve na mbetët dalja në rrugë e vetmja zgjedhje. Ne edhe njëherë po i themi qeverisë që të hap verën dhe të del me një plan për verën dhe po ashtu të heq orarin, kufizimin[…]nëse nuk e hapin ata ne do ta hapim vetë”, theksoi Kllokoqi.
Aktualisht në vend janë 3 mijë e 631 raste aktive. Ndërsa për dy ditë Kosova nuk ka pasur asnjë rast të vdekjes si pasojë e infektimit me COVID-19.