Paraqitja e një tanku si koreografi në tribuna me simbolikën kundër Kosovës ishte akti më i fundit që Serbia, përkatësisht tifozët serb e bënë gjatë ndeshjes mes Crvena zvezdas dhe Fiorentinës.
Ndeshja mes “Yllit të Kuq” dhe Fiorentinas u zhvillua në Beograd, ku në stadium u shfaq një koreografi me paraqitjen e një tanku, dhe me shkrimi nën të “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”.
Tani, për këtë gjë ka reaguar edhe ministri i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili tha se Serbia po mobilizon tifozëri për mesazhe lufte ndaj Kosovës.
“Serbia mobilizon tifozëri për mesazhe lufte! Koreografia e organizuar në ndeshjen miqësore të futbollit të zhvilluar dje ndërmjet ‘Yllit të kuq dhe Fiorentinës në Beograd, tregon qartazi për mendësinë e pandryshuar të Serbisë. Grupi i tifozerisë ‘Delije’ mbrëmë ka shfaqur një koreografi ku shihet një tank i madh me sfondin e flamurit serb dhe me shkrimin nën të ‘Kur të kthehet ushtria në Kosovë’”, shkroi Çeku në Facebook.
Më tej, Çeku tha se Serbia nuk po e kursen as sportin për promovimin e politikës luftënxitëse, ndërsa kërkoi që komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të hesht.
“Serbia edhe një herë tregoi që nuk e kursen as sportin si platformë për promovimin e politikës së saj luftënxitëse. Kërcënimet me luftë nga stadiumi i futbollit duhet të kundërshtohen nga organizatat ndërkombëtare të futbollit, të cilat i ftojmë për marrjen e masave të duhura ndëshkuese. Këto veprimeve të Serbisë janë të papranueshme, andaj komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të qëndrojë në heshtje”, shkroi Çeku.
Edhe Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka kërkuar nga UEFA dhe FIFA që të marrin masa më të ashpra kundër Serbisë për shkeljen e parimeve dhe vlerave bazë të lojës së futbollit.