UBT News

Çeku pranon detyrën e të parit të MKRS-së

Zëvendësministrat në largim, Engelbert Zefaj dhe Qazim Rrahmani, i kanë dorëzuar sot detyrën Ministrit të ri të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Ministri Çeku shprehu falënderimin e tij me punët e mira që janë kryer në ministri. Ai u shpreh se do të përkushtohet që të punojë që të avancojë fushat të cilat janë në përgjegjësi të ministrisë që do të udhëheqë.

Ai tha se është i vetëdijshëm për përgjegjësinë që e pret dhe se do të punojë ngushtë me komunitetet e kulturës, rinisë, sportit e të trashëgimisë.

“Jam i vetëdijshëm për përgjegjësinë që kam marrë sot, është një detyrë për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve, por specifikisht komuniteteve me të cilat merret kjo ministri, të cilave ju shërben ministria. Do të jem këtu për ta kryer detyrën me ndershmëri deri në momentin kur edhe unë do ta bëjë të njëjtën, do të ia përcjellë këtë detyrë të shërbimit ndaj qytetarëve, ministrit apo ministres së ardhshme të Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Jam shumë i lumtur që m’u dha besimi për të shërbyer në këtë institucion mjaft të rëndësishëm, do të vazhdojë të bëjë përpjekje që kulturën ta afrojmë sa më shumë nga qendra, ta largojmë nga periferia e vëmendjes së politikave të qeverisjes”, tha ai.

Zefaj e Rrahmani e uruan ministrin Çeku për marrjen e detyrës dhe i ka dëshiruar sukses dhe përmbushje të objektivave dhe realizim të planeve gjatë udhëheqjes së MKRS-së.

Exit mobile version