Ministri i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku në konferencën e sotme për media foli edhe për çështjen e ndërtimit të stadiumit nacional si dhe për ndërtimin dhe rinovimin e 27 stadiumeve në Kosovë.
Çeku bëri të ditur se rinovimi dhe ndërtimi i 27 stadiumeve në Kosovë pritet të përfundojë deri në vitin 2028, si përmbushje e detyrimeve ndaj Lojërave Mesdhetare “Prishtina 20230”, por edhe si obligim ndaj komunitetit sportiv vendor.
“Ai stadium do të ndërtohet në territorin e Republikës së Kosovës, do të përdorët nga sportistët e Kosovës, nga sportdashësit e Kosovës, pra do t’i shërbejë gjithë Kosovës. Nuk besoj që një projekt kaq i rëndësishëm duhet ë shndërrohet në betejë lokale ose të zonave të ndryshme, sepse do të jetë pasuri publike e të gjithëve, e shtetit tonë dhe e gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne tashmë e kemi nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me 16 kryetarë të komunave dhe me Federatën e Futbollit të Kosovës për këto rreth 27 stadiume të kategorive të ndryshme, nga stadiume lokale e fusha ndihmëse e deri te Stadiumi Nacional për një afat deri në vitin 2028 edhe si përmbushje e detyrimeve ndaj Lojërave Mesdhetare por edhe si detyrim që e kemi ndaj komunitetit sportiv të futbollit në vendin tonë, dhe bashkë me kryetarë të komunave jemi zotu që këto vendime do t’i marrim bashkërisht”, tha Çeku.
Më tej, Çeku kishte edhe dy fjalë për kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovcin, pasi që ky i fundit ka thënë që nuk ka kush e largon ndërtimin e stadiumit nacional nga komuna e tij. Çeku tha se nuk beson që një projekt kaq i madh e kaq serioz duhet të shndërrohet në betejë publike me motive të përfitimit personal ose politik.
“Nuk besoj që një projekt kaq i madh, kaq serioz, kaq i domosdoshëm për sportistët tanë dhe futbollin tonë para së gjithash ishte dashtë me u shndërru në betejë…ose çfarëdo ballafaqimi publik, nëse dikush këtë e sheh me motive të përfitimit personal, politik e të tjera besoj që i bën dëm një angazhimi kaq të madh. Ne jemi edhe në koordinim edhe me ministrin e financave për buxhetin e nevojshëm për infrastrukturën e sportit në përgjithësi, futbollit në veçanti, sepse futbolli përfiton më së shumti, është sporti më i përhapur dhe më popullor në vendin tonë, por edhe sporte të tjera, sepse kemi marrë zotime të mëdha dhe obligime ndërkombëtare, por edhe e kemi një program shumë ambicioz për ta konsoliduar gjithë infrastrukturën e futbollit dhe sportit në vendin tonë. Unë e ftoj edhe zotëri Lladrovcin dhe gjithë kryetarët e komunave që t’i përmbahemi detyrimeve që dalin nga ai memorandum i bashkëpunimit sepse aty janë saktësuar përgjegjësitë, detyrat, rruga përpara, të gjithë do të përfitojnë, por nëse dikush don përfitime edhe tjera të tipit politik, e promovimit personal edhe mund ta bëjë, unë nuk do të hyjë në atë betejë, sepse e kemi një betejë shumë ma të madhe, ajo është infrastruktura dhe zhvillimi i sportit në Kosovë”, tha Çeku.
Infrastruktura që do të ndërtohet brenda këtyre pesë viteve dhe organizimi i Lojërave Mesdhetare, sipas Çekut, do të shërbejë për promovim të jashtëzakonshëm të sportistë të Kosovës në arenën ndërkombëtare.