UBT News

Çeku dërgon në prokurori disa kontrata, paralajmëron anulimin e 34 projekteve të nisura

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku ka proceduar në prokurori dhe polici disa kontrata për investime kapitale të cilat janë arrit nga paraardhësit e tij.

Ministri Çeku gjatë raportimit para Komisionit për mbikëqyrje financiare, theksoi se kanë bërë një skanim të gjendjes së të gjeturave për projektet kapitale të nënshkruara përmes memorandumeve nga qeveritë e kaluara, dhe sipas tij ka dyshime për shkelje të shumta.

Një sfidë tjetër sipas ministrit Çeku, është edhe numri i madh i memorandumeve të bashkëpunimit me komunat që janë arritur vite më parë, në të cilat ai tha se kanë mangësi buxhetore.

Madje, ai para deputetëve bëri të ditur se 34 projekte të nisura për investime mund të ndalen për shkak të mos përfshirjes në buxhet.

“Një nga sfidat kryesore në Ministri është sigurimi i informacionit të saktë dhe të plotë nga administrata, nga menaxherët e kontratave, nga organi mbikëqyrës dhe nga stafi tjetër të cilët nga një herë edhe pa qëllim nuk e sigurojnë dhe ofrojnë informatën e saktë në lidhje me një numër të madh të projekteve të investimeve kapitale në Ministrinë e Kulturës, Rinës dhe Sportit. Megjithatë ne kemi arrit një nivel të kënaqshëm të skanimit të këtyre kontratave, disa parregullsi shumë të mëdha që i kemi identifikuar ku ka dyshime për vepra penale i kemi proceduar në Njësinë e Krimeve Ekonomike të Policisë dhe në Prokurori”, theksoi Çeku.

Në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike është shqyrtuar raporti i auditimit të performances “Menaxhimi i kontratave publike të ndërtimit”, ku u tha se nga 100 milionë euro të zotuara, rreth 60 milionë euro janë shpenzuar për investime kapitale arsimore, kulturore dhe sportive.

Për këtë kanë raportuar edhe zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra.

Zëvendësministri i Arsimit, Pupovci tha se një ndër të gjeturat e auditorit është devijimi i kontratës për ndërtimin e një shkolle në Rahovec që ka paraqitur, sipas tij probleme për financimin e këtij projekti pasi është rritur kostoja buxhetore për ndërtim.

Ndërsa, kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami nga radhët e LDK-së ngriti çështjen e ndërtimit të një shkolle të artit pamor në Gjilan, e cila sipas saj ka nis të ndërtohet para dhjetë viteve dhe nuk ka përfunduar ende.

“Para dhjetë viteve ka nis ndërtimi i shkollës së artit pamor në Gjilan dhe s’ka përfunduar ende” tha Bajrami.

Deputetja nga LVV, Jetmire Vrenezi anëtare e Komisionit tha se ka mangësi të shumta me kontratat që ishin në marrëveshje të memorandumi mirëkuptimit me komunat.

Vrenezi gjithashtu theksoi se përdorimi i objekteve pa pranim teknik është shqetësuese, derisa ngriti edhe çështjen e tejkalimit të buxhetit në dy projekte në kundërshtim të ligjit për ndarjet buxhetore.

Edhe anëtari i komisionit, Hajdar Beqa nga radhët e PDK-së theksoi se shfrytëzimi i objekteve pa pranim teknik paraqet një rrezik të lartë.

Deputeti Beqa derisa ka pyetur raportuesit në këtë Komision për planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve të auditorit, tha se memorandumet në disa raste mund të jenë të dobishme

Ndërsa, vlera e projekteve ekzistuese vetëm në Ministrinë e Kulturës arrin shumën 27 milionë euro, që sipas ministrit Çeku nuk pritet të nisin projekte të reja.

Exit mobile version