Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike dhe e Informacionit të Republikës Çeke vlerëson se platforma TikTok është kërcënim për sigurinë në Çeki.
TikTok, aplikacioni kinez ku mund të publikohen video, është nën kontroll të shtuar kohët e fundit në shumë vende lidhur me procedurat e trajtimit të të dhënave.
Sipas mbikëqyrësit, TikTok mund të përbëjë kërcënim sigurie nëse instalohet në pajisje që kanë “informacion kritik dhe në infrastrukturën e komunikimit”.
Pse po rriten shqetësimet?
Vendet perëndimore shqetësohen se ky aplikacion i famshëm mund t’u jep autoriteve kineze qasje në të dhënat e ndjeshme të përdoruesve.
“Agjencia shqetësohet për një kërcënim të mundshëm të sigurisë që rrjedh nga përdorimi i TikTok-ut kryesisht për shkak të sasisë së të dhënave të përdoruesit që mblidhen nga aplikacioni, si dhe mënyrës së trajtimit të të dhënave”, tha rregullatori.
Shqetësime të tjera burojnë nga fakti se kompania mëmë e TikTok-ut, ByteDance “bie nën juridiksionin ligjor të Republikës Popullore të Kinës”.
Republika Çeke iu bashkua listës së shteteve që kanë ndërmarrë masa për ta kufizuar përdorimin e TikTok-ut. Shtetet e Bashkaura të Amerikës dhanë 30 ditë kohë për të hequr këtë aplikacion nga të gjitha pajisjet dhe sistemet federale.
Parlamenti Evropian, Komisioni Evropian dhe Këshilli i BE-së e kanë ndaluar TikTok-un nga të gjithë telefonat e stafit. Edhe Kanadaja e Danimarka ia kanë ndaluar stafit të tyre që të kenë TikTok-un në telefonat e tyre.
Në një raport të mëparshëm të lëshuar në vitin 2022, agjencia e inteligjencës kombëtare çeke që ndodhet në Pragë e quajti Kinën si kërcënim të madh që synon hapësirën kibernetike çeke./UBTNews/