Qeveria e re e Republikës Çeke rrezikon të izolohet nga Bashkimi Evropian. Shkak për këtë është bërë mungesa e ministrave të cilët e zotërojnë dhe e flasin gjuhën angleze, e cila mbetet gjuha e punës për BE-në.
Sipas The Guardian, administrata e re e cila mori detyrën një javë para Krishtlindjes, ka dhënë idenë e një imazhi “të njollosur dhe të turpëruar me aftësi të dobëta anglishtfolëse”.
Ishte gazeta Hospodářské Noviny, e cila ngriti shqetësime për fenomenin dhe mënyrën se si “qeveria e Fialës do të përballojë kur vendi ta marrë presidencën e radhës së BE-së në korrik, një përgjegjësi që sfidon aftësinë e ministrave për të komunikuar me politikanët e huaj”.
Hospodářské Noviny raportoi se disa ministra kyç nuk ishin të aftë të flisnin gjuhën angleze për të komunikuar me zyrtarë të lartë të BE-së.
Pesë nga 18 ministra të kabinetit pranuan se flisnin pak anglisht dhe thanë se do të mbështeteshin te përkthyesit gjatë tubimeve evropiane. Kritikët e quajtën propozimin e tyre si të pamjaftueshëm, sepse anashkalon rëndësinë e kontakteve ballë për ballë në seancat joformale, ku përgjithësisht mungojnë përkthyesit.