Besniku i Angela Merkelit, Armin Laschet, i cili që nga janari është në krye të CDU-së, mbështetet tani nga kryesia e partisë edhe si kandidat për kancelar në zgjedhjet parlamentare më 26 shtator.
Nga viti 2012 Armin Laschet është një nga të pesë zëvendëskryetarët e partisë CDU. Katoliku nga zona e Rinit ka qenë gjithmonë partner i besueshëm i drejtuesit/es aktual/e të partisë. Deri në vitin 2018, Angela Merkel dhe pasuesja e saj Annegret Kramp-Karrenbauer mund të mbështeteshin tek zëvendëskryetari i partisë. Kur Merkeli në vitin 2015 u përball me stuhi politike në Gjermani për shkak të politikës ndaj refugjatëve, Laschet mbeti një nga shoqëruesit më besnikë dhe bashkëpunëtor i kancelares.
Laschet i lindur në Aachen e njeh mirë politikën. Para 30 vjetësh ai ka punuar si i ri në ekipin e presidentit të atëhershëm federal. Nga viti 1994-1998 juristi dhe gazetari u bë pjesë e Bundestagut, kurse nga viti 1999-2005 deputet i Parlamentit Europian. Nga viti 2010 Laschet është pjesë e parlamentit Renani-Veriore Vestfali. Aty ai arriti në vitin 2017 të fitojë zgjedhjet e landit dhe krijojë një koalicion me partinë, FDP. Krahas sukseseve, politikanit të CDU-së i është dashur të përballet edhe me dështime, Në vitin 1998 ai humbi mandatin e drejtpërdrejtë në Bundestag, dhe në vitin 2010 humbi përballë Norbert Röttgenit në konkurrencën për postin e kryetarit të CDU-së së landit. Tani 11 vite më vonë Laschet fiton në nivel federal. Armin Laschet mund të presë me durim. Me durim priti ai edhe garën aktuale me Markus Söder, rivali i fortë i tij brenda unionit konservator CDU/CSU për kandidat për kancelar.