Fëmijët holandezë janë vazhdimisht në krye të listave për mirëqenie dhe lumturi dhe raporti i fundit i UNICEF-it për vitin 2025 nuk përbën përjashtim.
Në këtë raport, që analizon mirëqenien e fëmijëve në shtete të ndryshme, Holanda shquhet për standardet e larta të zhvillimit fizik, mendor dhe emocional të fëmijëve. Por pse pikërisht Holanda? Çfarë e bën kaq ndryshe përvojën e fëmijërisë në këtë vend?
Më shumë liri, më shumë lumturi
Sipas prindërve holandezë, çelësi është i thjeshtë: fëmijëve u jepet liri që në moshë të vogël. Qoftë përmes biçikletës, mjeti ikonik për njerëzit në këtë vend, apo thjesht duke i lejuar të shkojnë në shkollë apo te një mik, fëmijët holandezë mësojnë që herët të orientohen dhe të kujdesen për veten.
Në qytete si Haarlem dhe Amsterdam, është e zakonshme të shohësh fëmijë të vegjël që shëtisin vetëm, hyjnë në dyqane a ndalojnë për akullore, pa praninë e prindërve. Kjo liri nuk është rastësi, por pjesë e filozofisë së prindërimit në Holandë, e cila synon të rrisë fëmijë të pavarur e të aftë për të marrë vendime vetë.
Pavarësia që ndikon te shëndeti mendor
Mungesa e lirisë fizike në fëmijëri ndikon negativisht te mendja. Sipas një studimi të vitit 2023, rënia e mundësive për të luajtur e lëvizur në mënyrë të pavarur është një ndër faktorët që shpjegojnë rritjen e çrregullimeve mendore te adoleshentët. Lëvizja e lirë, loja jashtë dhe ndërveprimet spontane pa ndërhyrjen e të rriturve ndërtojnë vetëbesimin, kreativitetin dhe një ndjesi të fortë kontrolli të brendshëm, të gjitha lidhen me mirëqenien psikologjike.
Kultura e besimit dhe normalizimi i pavarësisë
Holandezët i besojnë fëmijëve të tyre dhe kjo është një nga arsyet kryesore pse ata janë të lumtur. Në vend që të ndërtojnë fëmijëri të mbështetur tek frika dhe mbikëqyrja konstante, prindërit normalizojnë idenë që fëmijët janë të sigurt edhe pa prindërit pranë. Kjo nuk është mungesë përkujdesjeje, përkundrazi, është një formë besimi që u mëson fëmijëve se janë të aftë të përballen me botën. Pikërisht ky besim i bën fëmijët holandezë më të lumturit në botë.
A mund të mësojmë diçka nga kjo përvojë?
Ky model nuk është i lehtë për t’u aplikuar në çdo kontekst, faktorë si siguria publike, infrastruktura dhe kultura luajnë rol të rëndësishëm. Ndoshta është koha të rishohim mënyrën si e kuptojmë “kujdesin prindëror”. Në vend që t’i mbrojmë fëmijët nga çdo gjë, ndoshta mund t’i ndihmojmë të mësojnë si të përballen me botën – hap pas hapi, rrugë pas rruge, eksperiencë pas eksperience.