“Turqia mbështet në mënyrë të fuqishme unitetin politik, integritetin territorial, paqen dhe qetësinë e Bosnjë e Hercegovinës”, tha ministri i Jashtëm turk, Çavuşoğlu.
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, lidhur me dokumentet joformale (non papers) që qarkullojnë për unitetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës tha se këto lloj diskutimesh janë shumë të rrezikshme jo vetëm për rajonin por për të gjithë Evropën, raporton Anadolu Agency (AA).
Çavuşoğlu, pas takimit me ministren e Punëve të Jashtme të Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Bisera Turkoviç dhe takimit mes delegacioneve, zhvilloi një konferencë të përbashkët për media.
“Pavarësisht pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), kontaktet mes dy vendeve vazhdojnë në mënyrë të rregullt”, tha Çavuşoğlu i cili rikujtoi se edhe vizita e zhvilluar në mars në Turqi nga kreu i Këshillit presidencial të BeH-së dhe anëtarëve të tij ishte e dobishme.
Ai vuri në dukje se me homologen e tij zhvilluan takime të frytshme. “Bashkë me të gjithë kolegët tanë kemi diskutuar se si mund të zhvillojmë në fusha të ndryshme marrëdhëniet tona të cilat janë të shkëlqyeshme në aspektin politik”, tha kryediplomati turk.
“Kryesisht dëshiroj të theksoj se mbështetja jonë ashtu si gjithmonë do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme për Bosnjë e Hercegovinën në luftën e saj kundër COVID-19. Pavarësisht pandemisë vëllimi ynë tregtar nuk u pakësua. Eksportet e Bosnjës drejt Turqisë u rritën pak por ka ende një deficit tregtar në favor të Turqisë. Do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të rritur tregtinë por edhe për ta balancuar atë”, tha Çavuşoğlu.
Më tej ai potencoi se Turqia gjithmonë do të vazhdojë të qëndrojë pa dallim pranë Bosnjë e Hercegovinës dhe popullit të saj. “Me sa kemi pasur mundësi kemi dhënë ndihmë për vaksinat, po përpiqemi të sigurojmë vaksina ku dhe së shpejti do të fillohet përdorimi edhe i vaksinave tona kombëtare. Për këtë arsye do të vazhdojmë të japim mbështetjen tonë për Bosnjën mike dhe vëllazërore si në aspektin e sigurimit të burimeve të tjera ashtu edhe në aspektin e mundësive nga vaksinat që do të sigurojmë në të ardhmen”, shtoi Çavuşoğlu.
Duke bërë të ditur se në takim është diskutuar edhe për projektin e autostradës Sarajevë-Beograd, Çavuşoğlu tha: “Jemi të kënaqur që sot në takimin e Këshillit të Ministrave në rend dite është miratimi i marrëveshjes së transportit dhe infrastrukturës e cila është nënshkruar në Turqi”.
Ministri Çavuşoğlu ftoi homologen e tij në takimin e Ministrave të Jashtëm të vendeve të Evropës Juglindore në Antalya dhe në Forumin e Diplomacisë Antalya i cili do të zhvillohet në gjysmën e dytë të qershorit.
Integriteti territorial i Bosnjë e Hercegovinës
Pasi nënvizoi se Turqia mbështet në mënyrë të fuqishme unitetin politik, integritetin territorial, paqen dhe qetësinë e Bosnjë e Hercegovinës, Çavuşoğlu tha se janë të kënaqur për mbajtjen e zgjedhjeve pas 12 viteve në Mostar.
Ndërsa në lidhje me disa dokumente joformale (non papers) që janë publikuar për integritetin territorial të Bosnjës, Çavuşoğlu tha Turqia ka bërë reagimin e saj. “Dëshiroj të theksoj edhe një herë se këto lloj diskutimesh janë shumë të rrezikshme jo vetëm për rajonin por për të gjithë Evropën”, tha ai.
Çavuşoğlu rikujtoi se kjo çështje erdhi në rend dite edhe gjatë vizitës që realizoi dje në Slloveni dhe se zyrtarët sllovenë nuk i pranojnë këto dokumente. Çavuşoğlu shtoi se këto punime me qëllim të keq që janë publikuar në disa media nuk janë të dobishme për askënd.
Projekti i autostradës Sarajevë-Beograd
“Në vend të këtyre punimeve ndarëse duhet t’u jepet rëndësi projekteve që janë bashkuese për rajonin. Ne si Turqi nga pikëpamja e stabilitetit të rajonit i kushtojmë rëndësi këtij projekti dhe do të vazhdojmë të ofrojmë çdo mbështetje për këtë projekt”, nënvizoi Çavuşoğlu lidhur me autostradën Sarajevë-Beograd.
Ai tha se ndërtimi i autostradës ka filluar nga ana e Serbisë. “Me marrëveshjen që do të nënshkruhet sot nga BeH si dhe marrëveshjen që do të nënshkruhet mes kompanisë së BeH-së do të fillojë ndërtimi edhe nga kjo anë”, deklaroi Çavuşoğlu.
Pasi vuri theksin se Turqia mbështet integrimin e BeH-së dhe të vendeve të rajonit në institucionet euro-atlantike, Çavuşoğlu tha se Turqia do të vazhdojë të ofrojë kontribut për stabilitetin e rajonit edhe me mekanizmat trepalëshe Turqi-Kroaci-BeH dhe Turqi-Serbi-BeH.