UBT News

Carey Mulligan në bisedime për rol në filmin “Narnia” të Greta Gerwigut

Carey Mulligan është në negociata për ta luajtur nënën e Digory Kirke në filmin e ardhshëm “Narnia” të regjisores Greta Gerwig për platformën Netflix, ka raportuar “The Hollywood Reporter”. Në filmin nëna e Digoryt është e sëmurë. 

Aktorja britanike pritet t’i bashkohet një kasti yjesh në këtë projekt të pritur, ku përmenden edhe emra si Meryl Streep (si zëri i luanit Aslan), Daniel Craig (si xhaxhai i Digoryt) dhe Emma Mackey (si Magjistarja e Bardhë, Jadis).

Për disa role bisedimet janë në faza të hershme, “bisedimet me aktorin Craig janë në fazë ‘shumë të hershme’ dhe ai ende nuk ka firmosur zyrtarisht.”

Mackey thuhet se ka fituar rolin e Magjistares së Bardhë përballë konkurrenteve të tjera si këngëtarja Charli XCX dhe aktorja Margaret Qualley.

Netflix është ende në kërkim të aktorëve të rinj për rolet kryesore të fëmijëve Digory Kirke dhe Polly Plummer.

Filmi i ri “Narnia” do të bazohet në romanin “The Magician’s Nephew”, botuar më 1955 nga shkrimtari britanik C.S. Lewis, që rrëfen historinë e dy fëmijëve që udhëtojnë në bota të çuditshme përmes unazave magjike e bëhen dëshmitarë të krijimit të Narnias.

Gjatë këtij udhëtimi, ata zgjojnë një mbretëreshë të ligë dhe përballen me vendime që ndryshojnë fatin e të gjithë botëve. Greta Gerwig, 41 vjeç, do të jetë edhe skenaristja e filmit. Në ekipin e prodhimit janë përfshirë emrat e njohur Mark Gordon, Amy Pascal dhe Vincent Sieber. Netflix e kishte njoftuar projektin për herë të parë në vitin 2018, ndërsa Gerwig u konfirmua si regjisore dy vite më pas.

U raportua se Gerwig ka arritur të bindë Netflixin që ta shfaqë filmin në ekranet IMAX në të gjithë botën më 26 nëntor 2026 para se të publikohet në platformën e Netflix më 25 dhjetor 2026 (Krishtlindje). Kjo nuk do të jetë e vetmja përballje e Gerwig me botën e Narnias.

Ajo do të shkruajë dhe drejtojë edhe një film tjetër të bazuar në sagën fantastike të C.S. Lewis. Regjisorja e “Barbie”, ka shpjeguar se ky projekt ka diçka thellësisht të veçantë për të. “Duhet të jetë diçka që më ngacmon në një mënyrë të çuditshme, që më prek deri në palcë”, ka thënë Gerwig.

Për BBC Radio 4, ajo ka folur hapur për ndjeshmërinë që ka ndaj veprës.

“Jam pak e tmerruar, kam respekt për ‘Narnian’. E kam dashur si fëmijë, dhe si e rritur, e vlerësoj C.S. Lewisin si mendimtar dhe shkrimtar. Është një projekt që më frikëson, por në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë regjisorja.

Gerwig ka shtuar se, si amerikane, ndjen një përgjegjësi të veçantë për ta trajtuar këtë trashëgimi britanike me kujdes.

“Është pak si kur amerikanët bëjnë Shekspirin, ka ndjenjë nderimi e frike, sikur duhet ta trajtojmë me kujdes të veçantë. Ai nuk është bashkatdhetari ynë”, ka thënë ajo.

Exit mobile version