Këngëtarja e njohur me famë botërore Camila Cabello i realizoi një ëndërr të paharrueshme një prej fansave të saj, duke i dhuruar një moment magjik në ditën më të veçantë të jetës së saj – ditën e dasmës.
Artistja 28-vjeçare e muzikës pop u bë pjesë e ceremonisë duke interpretuar live hitin e saj emocional “First Man”, këngë e cila u shoqërua me vallen prekëse mes nuses dhe babait të saj.
Gjesti i papritur dhe tepër i ndjerë erdhi pasi Camila kishte takuar nusen e ardhshme, Kelly, vetëm një ditë më parë në barin e një hoteli në Iowa. Aty, gjatë një bisede të rastësishme, këngëtarja u preku nga historia e saj dhe vendosi të bënte diçka të veçantë.
E gjithë skena u kthye shpejt në një moment viral, falë kushëririt të nuses, i cili publikoi videon në TikTok, duke marrë mijëra reagime dhe komente emocionuese nga fansa në mbarë botën.
“Camila Cabello takoi kushërirën time në barin e hotelit dhe një ditë më pas u shfaq në dasmën e saj për të kënduar vallen babë-bijë”, shkroi ai në përshkrimin e videos që po bën xhiron e rrjeteve sociale.
Ky veprim i Camila Cabello është cilësuar nga shumë ndjekës si një prej gjesteve më të bukura dhe të sinqerta që një artist mund t’i bëjë një admiruesi të vet, duke e kthyer një dasmë të zakonshme në një kujtim të paharrueshëm. /A.Z/UBT News/