Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka takuar sot sekretarin e Shtetit për Çështjet e Jashtme, Commonwealth-in dhe Zhvillimin e Britanisë së Madhe, Lord David Cameron në Tiranë.
Ata pas takimit kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media. Rama tha se fokusi është vendosur në raportet dypalëshe mes dy vendeve, ndërsa shtoi se Britania do të mbështesë projektin për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë dhe se shumë shpejt do të hapet gara për portin tregtar në Durrës.
“Sot ne kemi diskutuar për marrëdhëniet tona shumë të mira dypalëshe dhe për thellimin e mëtejshëm të tyre për të cilin kemi folur, qoftë në aspektin e marrëdhënieve si dy vende aleate në NATO, qoftë edhe në aspektin e marrëdhënieve bilaterale në kushtet kur Mbretëria e Bashkuar synon të jetë më e pranishme në rajonin tonë dhe pa hyrë në të gjitha planet e bashkëpunimit tonë bilateral. Unë dëshiroj të theksoj se kemi folur për përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar në një projekt strategjik me një rëndësi të veçantë për Shqipërinë, për Kosovën, por edhe për rajonin që është hekurudha Durrës-Prishtinë, e cila është një element kyç i projektit të rritjes së kapaciteteve të lëvizjes, jo vetëm mes dy vendeve tona, por në rajon dhe më gjerë, duke pasur parasysh që së shpejti ne hapim garën ndërkombëtare për Portin e Ri Tregtar të Durrësit”, ka thënë Rama.
Ai ka shtuar se janë në pritje të përgjigjes përfundimtare të NATO-s për krahun ushtarak të portit të Durrësit.
“Njëkohësisht siç jeni të informuar edhe Kosova do të ndërtojë një port të thatë në Prishtinë. Për të gjitha këto së bashku ky është një projekt që tejkalon thjesht dhe vetëm interesin e vetëm të dy vendeve tona dhe në të cilin Mbretëria e Bashkuar ka shprehur interesin të përfshihet, qoftë me financimin, qoftë edhe me ekspertizën dhe unë i jam mirënjohës Sekretarit pasi është siç thashë, është një avokat shumë i rëndësishëm i yni në mbështetje të të gjitha proceseve transformuese të rajonit tonë”, shtoi ai.
Në takim u bisedua edhe mbi projektin e përbashkët të luftës kundër trafikut të paligjshëm të qenieve njerëzore dhe bashkëpunimin në rajon, por edhe dialogun Kosovë-Serbi.
“Mbretëria e Bashkuar ka shprehur vazhdimisht një interes të veçantë për të parë normalizimin e plotë të marrëdhënieve rajonale dhe për të parë përfundimin me sukses edhe të procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku ka pasur hapa pozitivë po ku në vijimësi ka edhe ngecje në vend apo në vijimësi ndihet edhe rreziku i kthimit prapa”, ka thënë Rama.
Ndërsa, Cameron ka shprehur kënaqësinë e tij për vizitën në Shqipëri, të cilën e ka quajtur një storie suksesi në aspektin ekonomik, por edhe rolin e saj në NATO. Ai ka thënë se hekurudha nga Prishtina në Durrës që do jetë e rëndësishme për të gjithë rajonin për të cilin tha se çdo problem eventual aty reflekton edhe në Evropë.
“Që kur Ballkani Perëndimor ia del mbanë, atëherë Evropa ia del mbanë. Në rast se ka probleme në Ballkanin Perëndimor, atëherë ka probleme edhe në Evropë, sepse në fakt është në interesin tonë të përbashkët të ndihmojnë në procesin e pajtimit dhe rritjes ekonomike dhe të mirëkuptimit”, ka thënë ai.
Cameron ka mbërritur në Tiranë ditën e sotme. Ai është mirëpritur nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani në aeroport. Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe pritet të takohet edhe me presidentin Bajram Begaj.