Ministri i Punëve të Jashtme britanik, David Cameron, i ka siguruar mbështetje Kosovës, duke theksuar se Britania do ta ndihmojë Kosovën në proceset nëpër të cilat po kalon. Ndërsa ministrja Donika Gërvalla tha se Perëndimi ka nevojë për qasje të re ndaj Ballkanit.
Në një konferencë të përbahskët të dy ministrave, Cameron tha se Britania do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën për t’u njohur ndërkombëtarisht.
“Ne mendojmë që Britania luan një rol të madh në KFOR, ne kishim mbi 600 trupa britanike këtu këtë vit. Ne jemi krenarë për trajnimin dhe mbështetjen që po u japim Forcave tuaja të Armatosura dhe suksesin e madh që ata kanë pasur në stërvitje në MB. Pra, ne kemi folur për sigurinë, kemi folur për ekonominë tuaj, e cila po tregon rritje të mirë këtë vit dhe ne duam të bëjmë më shumë për t’ju ndihmuar ekonomikisht, për t’ju ndihmuar të siguroni punë dhe mjete jetese për njerëzit tuaj, dhe ne kemi folur për luftën tuaj kundër korrupsionit dhe për atë që po bëni për të vendosur sundimin e ligjit dhe për të ndërtuar një qeverisje të mirë këtu në Kosovë, të gjitha këto janë fusha ku ne po ndihmojmë, ne duam të vazhdojmë të ndihmojmë. Por mbi të gjitha themi se jemi përkrahës i madh i pavarësisë së Kosovës, sovranitetit të Kosovës dhe të drejtës së Kosovës për t’u njohur nga të tjerët, si shtet i plotë sovran dhe anëtar i familjes së Kombeve”, tha Cameron.
Ndërsa ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla tha se Kosova Britaninë e sheh si një partnere të rëndësishme në NATO, aty ku vendi ynë synon të anëtarësohet. Ajo theksoi se Perëndimi ka nevojë për një strategji të re ndaj Ballkanit.
“Zhvillimi ekonomisë në vitet 2021/2024, në rritje sipas fondit monetarë ndërkombëtarë gati 50% të GDP-së, me rritjen më të fuqishme ekonomike në rajon, rritjen e dukshme të investimeve të huaja, me një sektorë të zhvilluar dhe dinamik të teknologjisë informative dhe klient të rëndësishëm global, me taksa shumë të ulëta, suksese e prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar Kosova është e hapur për biznes. Shumë kompani të cilat dikur transferonin pjesë strategjike në lindjen e largët apo në Kinë po i vendosin ato në vendet mikpritëse të perëndimit. Dhe që Kosova është pjesë e perëndimit nuk ka asnjë dilemë… Pra, perëndimi ka nevojë për një strategji të re pasi ajo e vjetra është duke perënduar, pyetja qendrore në shume pjesë të botës, sidomos këtu për shkak të gjeografisë në kuadër të NATO-së do të jetë se kush do të jetë me perëndimin dhe kush jo… Mbretëria e Bashkuar për Kosovën është partner i rëndësishëm brenda NATO-së, aty ku Kosova e sheh veten pjesë të synimeve strategjike dhe përcaktimeve parimore të kësaj organizate. Rëndësi të veçantë nuk kanë vetëm në fushën sigurisë por edhe në diplomaci, ekonomi, shëndetësi, art, kulturë e sport, këtu vura në pah rëndësinë veçantë që ka mërgata në mbretërinë bashkuar e cila është jo vetëm e madhe në numër por pjesë e rëndësishme dhe e dukshme në dy vendet dhe shoqëritë tona”, tha Gërvalla.
Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron, është duke qëndruar për vizitë në Kosovë. Pas takimit të mbajtur me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka vazhduar takimin edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.