Aktori britanik Callum Turner ka rrëfyer për herë të parë se si nisi lidhja e tij me këngëtaren shqiptare me famë botërore, Dua Lipa.
Në një intervistë për The Sunday Times Style, Turner tha se para takimit të tyre të parë, kishin pasur disa “takime të humbura” gjatë viteve – në festa, përmes miqve të përbashkët apo në vende të ndryshme – por kurrë nuk ishin përballur realisht.
“Ka pasur dy, tre, katër, pesë raste ku kemi shmangur njëri-tjetrin për pak minuta. Ajo ka shkuar në një festë dhe unë kam ardhur vetëm pak më vonë. Në një rast ajo kishte dalë në 1:45 të mëngjesit, unë mbërrita në 2,” tregoi Turner.
Moment i veçantë ndodhi në Los Anxhelos, kur u ulën pranë njëri-tjetrit e zbuluan se po lexonin të njëjtin libër – “Trust” nga Hernan Diaz.
“I thashë që sapo kisha përfunduar kapitullin e parë, dhe ajo më tha, ‘Edhe unë sapo përfundova kapitullin e parë.’ I thashë, ‘Atëherë jemi në të njëjtën faqe.’ Ishte si në një film. Ishte momenti i parë ku mendova: ‘E kuptoj. Shenjat janë të qarta.’”
Lidhja e tyre u bë publike më herët këtë vit, dhe së fundmi është konfirmuar edhe fejesa mes dyshes.
Pavarësisht orareve të ngjeshura, Turner dhe Dua përpiqen të ruajnë afërsinë përmes vizitave të shkurtra dhe komunikimit të përditshëm. Ai tregoi se kohët e fundit kishte fluturuar drejt Bostonit për vetëm dy ditë, ku kaluan kohë së bashku në një nga restorantet më të mira që kishte provuar ndonjëherë.
Turner njihet për rolet e tij në filma si Fantastic Beasts, ndërsa Dua Lipa vazhdon aktivitetin e saj me projekte muzikore dhe filma, përfshirë rolin në Argylle dhe kolonën zanore të filmit Barbie. /A.Z/UBT News/