Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani ka thirrur në takim veç e veç liderët e partive politike në vend për tu marrë vesh për datën e zgjedhjeve të parakohshme, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Pas konsultimeve, Osmani do të vendosë për datën e zgjedhjeve, të cilat do të mbahen më së largu deri më 31 janar nëse shpallen gjatë kësaj jave.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha për Ekonomia Online se nëse zgjedhjet shpallen gjatë së martës ato do të mbahen më 24 janar, por nëse shpallen gjatë javës ato do të mbahen më 31 janar.
Kjo kohë, sipas tij, i shërben KQZ-së të përgatitet për zgjedhje, por edhe partive që të konsolidojnë radhët e tyre. Madje ai ka kërkuar që zgjedhjet të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Nëse zgjedhjet shpallen sot atëherë i bije që të njëjtat do të mbahen më së largu me 24 janar të vitit të ardhshëm, ndërsa nëse zgjedhjet shpallen nesër ose në ditët tjera të kësaj jave, zgjedhjet më shumë gjasë do të mbahen me 31 janar në mënyrë që të garantohet që KQZ-ja do të ketë kohë për tu përgatitur për administrimin e zgjedhjeve. Ndërsa kohë do tu jepet edhe partive politike që të konsolidojnë radhët e tyre për këto zgjedhje. Në bazë të afateve kushtetuese pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese presidentja tashmë nuk ka ndonjë periudhë brenda së cilës duhet t’i shpallë zgjedhjet, ndonëse unë konsideroj që me qëllim të garantimit të funksionalitetit kushtetues të institucioneve do të duhej që zgjedhjet të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur”, deklaroi ai.
Sipas tij, edhe përkundër që Osmani ka mandat deri në fund të muajit maj, nëse nuk arrihet që legjislatura e re ta zgjedh presidentin, atëherë vendi mund të shkojë në zgjedhje sërish, raporton EO.
“Aktualisht u.d së presidentes zonja Osmani ka mandat deri në muajin maj për të udhëhequr me vendin, duke bërë që më shumë gjasë ajo të jetë ushtruese e detyrës edhe pas konstituimit të legjislaturës së re, e cila do të ketë detyrë primare përveç zgjedhjes së Qeverisë edhe zgjedhjen e një presidenti meqenëse nëse i njëjti nuk zgjedhjet as pas skadimit të afatit të zonjës Osmani, ne sërish do të vijmë në një situatë kur zgjedhjet do të jenë të pashmangshme. Për shkak se Kushtetuta ka paraparë se nëse dështon Kuvendi në zgjedhjen e presidentit duhet sërish të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare”, deklaroi ai.
Gjykata Kushtetuese mbrëmë ka vendosur pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Ethem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, me çka edhe zyrtarisht vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme. Vota e deputetit Etem Arifi ishte vendimtare për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor.
Kushtetuesja ka konstatuar se, në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitoj mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës.