Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka reaguar lidhur me lajmin për rikthimin e regjimit të vizave për shtetasit e Shqipërisë. Cakaj ka deklaruar se ky lajm është krejtësisht i pavërtetë.
Sipas Cakajt, fillimi i zbatimit të sistemit ETIAS nuk ka asnjë lidhje me rivendosjen e vizave për shtetasit shqiptar.
“E para, këtu s’bëhet fare fjalë për rikthim vizash, por vetëm për plotësim të një formulari online që do të ofrojë autorizimin për udhëtim brenda pak minutash.E dyta, këtu s’bëhet fare fjalë për masë të veçantë enkas për Shqipërinë, por për një procedurë të zakonshme për një listë të gjatë shtetesh, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadanë, Australinë dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.E treta, këtu s’bëhet fare fjalë për hyrjen në fuqi të kësaj praktike nga data 1 janar 2021. Ky sistem pritet të hyjë në fuqi nga data 1 janar 2023, por edhe kjo çështje mbetet e hapur marrë parasysh disa faktorë të brendshëm rrethanorë.”, ka shkruar Cakaj në Facebook.
Duke nisur nga data 1 janar e vitit 2021 të gjithë shtetasit nga Shqipëria që duan të udhëtojnë në zonën Shengen do të përballen me një sistem të ri të vizave./UBTNews