UBT News

Cakaj: Asnjë gjykatë në botë s’mund ta rishkruajë historinë e lavdishme të UÇK-së

Pas konfirmimit të aktakuzave ndaj figurave kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ministri i Punëve të Jashtme në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka thënë se asnjë gjykatë në botë nuk mund ta rishkruajë historinë e lavidshme të UÇK-së.

Sipas tij, kërkesa e drejtësisë së vërtetë është e qartë që Serbia e jo Kosova do të duhej të ballafaqohej me drejtësi.

“Kërkesa e drejtësisë së vërtetë është e qartë: Serbia, jo Kosova, do të duhej të ballafaqohej me të kaluarën e saj kriminale dhe të dorëzonte kriminelët e luftës (të veshur edhe me kostumin e politikanëve të sotëm) para drejtësisë. Krimet e supozuara të luftës në Kosovë janë hetuar nga UNMIK-u, Tribunali i Hagës, EULEX-i, gjykatat vendore dhe tani, në mënyrë krejtësisht të njëanshme, edhe nga Gjykata Speciale. Kosova, ndryshe nga Serbia, deri më sot ka treguar të gjithë gatishmërinë e nevojshme për të bashkëpunuar me të gjithë mekanizmat e drejtësisë ndërkombëtare”, shkroi Cakaj në Facebook.

Më tej theksoi se lufta e UÇK-së është e pastër dhe e drejtë.

“Sjellja e krerëve të UÇK-së dhe institucioneve të Republikës së Kosovës në këto dy ditët e fundit është jo vetëm dinjitoze në rrafsh personal dhe kombëtar, por edhe shprehje e gatishmërisë së plotë për t’i dalë përballë drejtësisë dhe zbardhur të vërtetën. Ata sot edhe njëherë mbartin barrën e mbrojtjes së vlerave të UÇK-së dhe gjithë historisë së vonë të Kosovës. Ne mbesim krejtësisht të bindur në drejtësinë e luftës dhe në pafajësinë e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kosova, si gjithmonë, do të ngrihet edhe më e fortë pavarësisht sfidave!”, shkroi ai më tej./UBTNews

Exit mobile version