Më shumë se 400 të dënuar arritën të arratisen pas sulmit në një burg shumë pranë kryeqytetit nigerian të Abujës.
Katër të burgosur, një roje dhe disa sulmues u vranë gjatë përleshjeve në dyert e burgut që zgjatën për disa orë.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, sulmi dyshohet të jetë kryer nga militantët e Boko Haram, pasi shumë anëtarë të tij ndodheshin në këtë burg.
Shpërthime të forta dhe të shtëna me armë zjarri u dëgjuan pranë burgut të sigurisë së mesme pak jashtë kryeqytetit, mbrëmjen e së martës kur ndodhi sulmi.
Përveç katër të burgosurve të vrarë, 16 të tjerë u plagosën gjithashtu gjatë sulmit, tha shërbimi korrektues i Nigerisë.