UBT News

​Buxheti për vitin 2024 mbi 3.3 miliardë euro

Qeveria ka miratuar buxhetin për vitin e ardhshëm në vlerë 3 miliardë e 314 milionë euro. Ky buxhet do të procedohet për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti tha se ky buxhet do të fokusohet në rritje të sektorëve prioritar dhe në zbatim të programit qeverisës.

Me këtë projekt-buxhet, koeficienti i pagave në sektorin publik është rritur nga 105 në 110 euro.

“Për vitin 2024, buxheti i Republikës së Kosovës do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro. Për sektorin publik kemi thënë qysh në fillim të këtij viti se koeficienti i pagave për vitin 2024 do të jetë 110 euro dhe këtë po e realizojmë. Po i rrisim pagat në sektorin publik ashtu siç kemi thënë. Të gjitha përllogaritjet e buxhetit te kategoria e pagave janë duke marrë për bazë edhe rritjen e koeficientit. Dhe gjithsej buxheti për paga parashihet që të jetë 805 milionë euro, apo rreth 30 për qind më i lartë se sa buxheti para pesë vitesh. Me këtë buxhet kujdes dhe rëndësi të veçantë po i japim mbrojtjes së sigurisë”, tha ai.

Exit mobile version