Dmytro Lisovyy, një burrë nga Ukraina u fsheh në bodrumin e shtëpisë së tij në Bucha për dy javë ndërsa rusët po e sulmonin vendin çdo ditë e çdo natë.
“Trupat ruse ishin të pranishme në rrugë. Ndoshta që nga dita e katërt ose e pestë, ata vendosën të kontrollonin të gjitha shtëpitë. Ata erdhën në shtëpinë tonë. Shkatërruan të gjitha pajisjet elektronike brenda shtëpisë, përfshirë laptopët, TV dhe kështu me radhë”, tha Lisovyy për CNN.
Ndërsa trupat ruse po përpiqeshin t’i gjenin telefonat e mençur, Lisovyy tha se familja e tij i fshehu telefonat aktualë dhe hoqi dorë nga ata të vjetrit.
“Si rezultat i kësaj, kemi lidhje me botën. E dimë se çfarë po ndodhë”, deklaroi ai mes tjerash.
Ai foli edhe për tmerrin që përjetoi gjatë gjithë kësaj periudhe.
“Ishte e tmerrshme të kuptosh se çdo minutë diçka mund të të ndodhte”, deklaroi ai më tej.
Përfundimisht ai dhe familja e tij zgjodhën një rrugë evakuimi për të shpëtuar.
“Territori ishte i gjithi i kontrolluar nga trupat ruse. Kishte shumë makina civile të shkatërruara nga rusët gjatë evakuimit tonë. Ne i pamë. Ata po na qëllonin. Ishin makina civile – jo disa trupa të tjerë apo diçka tjetër”, tha ai.
Ai dhe familja e tij u larguan për në Kiev./UBTNews/