Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar padi ndaj bashkëshortit të ushtrueses së detyrës të presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu e njëherazi edhe anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Alban Krasniqi, pasi ky i fundit e quajti “vrasës”.
Krasniqi i tha kështu në një koment që bëri në postimin e Ramës për shtrimin e shtresës së dytë të asfaltit në rrugën A, e të cilin i pari i Prishtinës e kishte shoqëruar me shprehjen “Mirëmëngjesi nga Rruga A”
“Jo mirëmëngjesi, por alo prokurororia or vrasës”, shkroi Krasniqi, që e zgjati më tepër se që duhet emrin prokurori, teksa e lidhi këtë koment me rastin e vdekjes së një punëtori në një objekt në ndërtim në kryeqytet, të martën pasdite.
Rama reagoi më pas, duke e cilësuar gjuhë të urrejtjes atë që shkroi bashkëshorti i presidentes Haxhiu teksa shtoi se përpjekjet për t’ia atribuuar Komunës së Prishtinës përgjegjësinë për rastin tragjik janë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
“Që gjuha e urrejtjes dhe linçimit është identitet politik i Vetëvendosjes, kjo nuk është më as temë e as befasi”, shkroi Rama, duke shtuar se është shqetësuese që, sipas tij, përfaqësuesit e pushtetit “ende nuk i dinë gjërat më elementare për ndarjen e kompetencave dhe përgjegjësive institucionale”.
Ai theksoi se, sipas ligjit, verifikimi i sigurisë teknike të vinçave, kontrolli i dokumentacionit teknik, inspektimi i pajisjeve dhe mbikëqyrja e zbatimit të masave të sigurisë dhe shëndetit në punë janë kompetencë e Inspektoratit Qendror të Punës.
Sipas Ramës, Inspektorati i Ndërtimit në Komunën e Prishtinës ka kompetenca që lidhen me mbikëqyrjen e zbatimit të kushteve të lejes së ndërtimit, përputhshmërinë e punimeve me projektin e miratuar dhe ndërmarrjen e masave administrative të parashikuara me ligj.
Në postimin e tij të gjatë prefekti i Prishtinës bëri me dije se Krasniqi do të përballet me drejtësinë, për atë që shkroi.
“Alban Krasniqi, ti dhe të gjithë të tjerët që keni shpifur do të paditeni”, shkroi Rama.
Në të njëjtin reagim, ai tha se gjuha e këtillë e urrejtjes dhe linçimit “është identitet i Vetëvendosjes”, për të cilën pati shumë kritika dhe akuza.
‘Shqetësuese është që edhe pas 6 vjetësh në institucionet e Republikës së Kosovës, institucione që dikur i sulmonin dhe i shkatërronin me gurë, molotovë e gaz lotsjellës, ndërsa sot, fatkeqësisht, i udhëheqin, ende nuk i dinë gjërat më elementare për ndarjen e kompetencave dhe përgjegjësive institucionale” thuhet në postimin e Ramës. “Përtej kësaj, krejt çka kanë ditur të bëjnë është krijimi i ‘Lule Gjelave’ për të intimiduar, linçuar e shantazhuar këtë popull”.
Rama tha se humbja e jetës së punëtorit është një tragjedi, por shtoi se përgjegjësitë duhet të përcaktohen sipas ligjit dhe jo përmes, siç u shpreh ai, “linçimit politik”.
“Fatkeqësia, përveç humbjes së një jete, është fakti që qeverisja u ka rënë në dorë këtyre njerëzve të paditun e të frustruar! Për 6 vjet qeverisje, investim kapital kanë një ‘vadë në Lupç’ dhe një ‘urë 12 metra në Saradran’”, vazhdoi ai.
Në fund të reagimit, Rama përdori një gjuhë të ashpër ndaj pushtetit, duke e akuzuar për ‘subvencionim të hallave e dajave, nënvlerësim të çdo epoke dhe çdo familjeje të lavdishme të këtij vendi, mosrespektim të çdo organi të Republikës së Kosovës e deri te, sic tha, shkatërrimi i raporteve me partnerët dhe bashkëpunëtorët tanë ndërkombëtarë.
‘Po e ripërsëris: ju jeni fatkeqësia e këtij vendi”, shkroi kryetari i kryeqytetit. “Por, ky popull ka me ju kthy në rrugë, aty ku e keni vendin, aty ku ju përshtatet ky fjalor e këto veprime, aty ku secili prej jush e ka nis aktivitetin, duke e cënu sigurinë e policëve të Kosovës dhe duke i djeg e shkatërru institucionet e Republikës me gurë, gaz lotsjellës e me molotovë!”. /KosovaPress/A.K/
