Imazhet e pikturës Mona Lisa me krem torte u bënë virale të dielën, pavarësisht faktit se torta në fakt u përplas me xhamin që mbron kryeveprën e Leonardo da Vinçit në Muzeun e Luvrit në Paris.
Sipas dëshmive, autori ishte një burrë në karrige me rrota i cili mbante paruke. Për habinë e të ftuarve të tjerë, ai u ngrit papritmas dhe iu afrua “La Giocondas”, duke i hedhur tortën.
Ata që ishin përgjegjës për sigurinë e muzeut nxituan ta nxirrnin burrin nga dhoma, ndërsa pjesa tjetër e të pranishmëve vazhduan të fotografonin situatën pa pushim.
Piktura, e cila u krijua midis viteve 1503 dhe 1519 nga Leonardo da Vinci, qëndroi e paprekur sepse ishte e mbrojtur nga një xham sigurie.
Megjithatë, incidenti nuk u përshkallëzua. Siç shihet në disa nga videot e shpërndara në rrjetet sociale, punonjësit e sigurisë së Luvrit nxituan për të hequr sulmuesin nga ndërtesa dhe për të pastruar xhamin.
Gjatë historisë janë bërë përpjekje të shumta për të prishur, vjedhur ose përdorur kanavacën 77 me 53 centimetra – për të rritur ndërgjegjësimin për shkaqe të ndryshme.
Një burrë i hodhi acid sulfurik në vitet 1950, ndërsa një student bolivian e goditi atë me një gur. Një grua në një karrige me rrota spërkati bojë të kuqe ndërsa ishte në një ekspozitë në Tokio në vitin 1974, e një tjetër turist rus i hodhi një filxhan çaj në verën e vitit 2009.
Vepra ishte vjedhur në vitin 1911, dhe u zhduk për gati tre vjet./UBTNews/