Lumezi lëshon udhëzim për prokurorët që të mos detyrojnë gazetarët t’i tregojnë burimet.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka lëshuar udhëzim detyrues për të gjithë prokurorët ku detyrohen prokurorët që të shmangin ndërmarrjen e çfarëdo veprimi hetimor ndaj mediumeve apo gazetarëve që do t’i detyronte gazetarët apo profesionistët e tjerë të medias të zbulojnë burimet e informacionit.
Lumezi është takuar me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, për të adresuar ngjarjet e fundit lidhur me mbrojtjen e burimeve të gazetarisë nga hetimet penale.
Ky udhëzim gjithashtu ua rikujton prokurorëve që, sipas ligjit, gazetarët nuk mund të ndiqen penalisht në rastet kur e shfrytëzojnë të drejtën e heshtjes lidhur me burimet e tyre të informacionit.
Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar nga të gjithë prokurorët që ta njoftojnë para se të ndërmarrin ndonjë veprim hetimor ndaj gazetarëve apo profesionistëve të medias.
“Kryeprokurori i Shtetit dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë sigurojnë publikun dhe mediat se mbrojtja e të drejtave të gazetarëve dhe profesionistëve tjerë të medias është e rëndësisë më të lartë për të dyja institucionet dhe zotohen se do të ndërmarrin veprime të menjëhershme ndaj kujtdo që nuk i përmbahet këtyre parimeve”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeprokurorit.