Gjykata Themelore në Ferizaj ka dënuar sot me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën, ndërsa Arbër Sejdiun me 15 vjet burgim, në rigjykimin për rastin e vrasjes së Marigona Osmanit, më 21 gusht 2021 në banesën e të akuzuarit, Krivaqa.
Kryetari i trupit gjykues Sahit Krasniqi, derisa ka shqiptuar dënimin për këtë vepër, ka thënë se të njëjtëve u llogaritet edhe koha në paraburgim nga data 22 gusht 2021, i cili do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
“Të akuzuarin Dardan Krivaqa për vepër penale vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, e gjykon me dënim me burgim të përjetshëm në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 24.08.2021 e tutje. Të akuzuarin, Arbër Sejdiu për veprën penale ndihma në kryerjen e veprës penale, vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, e gjykon me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 15 vjetësh, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 22 gusht 2021 e tutje”, tha Krasniqi.
Kryetari i trupit gjykues Sahit Krasniqi ka treguar shumë detaje rreth vrasjes së Marigona Osmanit.
“Të akuzuarit, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu me shënimet personale si në shkresat e lendes janë fajtorë, sepse i akuzuari, Dardan Krivaqa më datën 21 gusht 2021, në banesën e tij në rrugën “Ramadan Rexhepi” në Ferizaj, në intervalin kohor nga ora 10:14 deri të nesërmen më datën 22 gusht të vitit 2021 në ora 14:43, në mënyrë mizore e privon nga jeta të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën ka qenë duke bashkëjetuar, në atë mënyrë që gjatë dy ditëve rresht në vazhdimësi kohë pas kohë, me vetëdije, ndërmerr vendime të dhunshme posaçërisht të rënda – ekstreme ndaj saj, duke e goditur me një shkop të drurit, ngjyrë të zezë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar mundime dhe dhimbje të mëdha fizike dhe psikike, ku nga pasojat e kësaj dhune ekstreme të shkaktuara nga goditja, shtypja apo përplasja nga ndonjë mjetë të fortë dhe të rëndë mprehtës shkaktohet vdekja e të ndjerës M.O, e cila ka ardhur si rrjedhojë e politraumës – lëndimeve të shumëfishta, ku politrauma dhe vdekja kanë ardhur drejtpërdrejti nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerjet e ashtit, të nofullës së poshtme, thyerjet e brinjëve djathtas dhe majtas, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhje epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe trurit të vogël, këputje parciale të palcës së kurrizit në qafë dhe të njëjtën me ndihmën e të pandehurit A.S., e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm, Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty”, ka thënë Krasniqi.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.
Ndryshe, Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht 2023 kishte dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasjen e Marigona Osmanit, ndërsa i akuzuari tjetër Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vjet, për ndihmën e kryerjes së veprës “vrasjes së rëndë”. Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.
Marigona Osmani është vrarë më 22 gusht 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa në Ferizaj.