Mikayla Raines, ylli i njohur i YouTube dhe themeluesja e organizatës për mbrojtjen e kafshëve “Save A Fox”, ka ndërruar jetë duke u vetëvrarë, pas një periudhe të gjatë ngacmimesh dhe bullizmi online.
Lajmin e ka konfirmuar burri i saj, Ethan, në një postim në Instagram të hënën. 29-vjeçarja përballej me probleme, si depresioni, çrregullimi i personalitetit borderline dhe autizmin. Ajo kishte ndjekur terapi dhe përdorur medikamente, por sipas Ethan-it, asgjë nuk dukej se e ndihmonte mjaftueshëm.
Raines njihej më së shumti për organizatën “Save A Fox”, që ajo e themeloi më 2016 e që sot është operacioni më i madh në SHBA për shpëtimin dhe rehabilitimin e dhelprave dhe kafshëve të tjera ekzotike, me seli në Florida dhe Minnesota.
Burri i saj tha se Mikayla u përball me një fushatë të gjatë ngacmimesh online nga njerëz të panjohur, si dhe nga disa nga shokët e afërt në komunitetin e mbrojtjes së kafshëve, që e shoqëruan me fyerje dhe akuza. Ai beson se kjo vinte nga xhelozia dhe zilia.
“Gjithmonë ia kushtoi jetën kafshëve,” tha Ethan, “që kur ishte 15 vjeçe dhe filloi të punonte si vullnetare në një qendër rehabilitimi për kafshë të egra.”
Ai shtoi se autizmi i’a bëri jetën e vështirë, por i dha mundësinë të përqendrohej në pasionin për kafshët.
“Ajo shpenzoi çdo orë duke ndihmuar kafshët, qoftë duke ndihmuar një breshkë të kalonte rrugën, apo shpëtuar 500 dhelpra nga një fermë e keqe pele.”
Mikayla nuk kërkoi kurrë famë apo përfitime personale, por punoi me përkushtim të palodhur, duke sakrifikuar gjumin, ushqimin dhe kohën personale për të ndihmuar kafshët në nevojë.