Bullgaria është përjashtuar nga embargoja e Bashkimit Evropian për naftën ruse deri në fund të vitit 2024, tha kryeministri bullgar, Kiril Petkov, para gazetarëve të martën në Bruksel.
Detajet e tjera mbi përjashtimin do të zbulohen brenda dy ditësh tha Petkov, ndërsa mbërriti në ditën e dytë të një takimi të jashtëzakonshëm të Këshillit Evropian për Ukrainën.
Petkov tha se përjashtimi do t’i japë Bullgarisë kohë për të përshtatur rafinerinë e saj për të përpunuar naftë tjetër. Ai tha gjithashtu se është “i kënaqur” që raundi i gjashtë i sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë “do të kalojë” dhe se “flukset financiare të Rusisë do të ndalen”.
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian ranë dakord të hënën të ndalojnë shumicën e importeve të naftës ruse si pjesë e një pakete të re sanksionesh kundër Moskës./UBTNews/