UBT News

Bullgaria do të ndajë vaksina për vendet e Ballkanit Perëndimor

Bullgaria po planifikon t’i ndajë rreth 150 mijë vaksina për fqinjtë e Ballkanit, njoftoi Stoicho Katsarov, ministër i Shëndetësisë.

Bullgaria ka normat më të ulëta të inokulimit në Bashkimin Evropian, por Katsarov tha se vendi ka rënë dakord të marrë rreth 13 milionë doza nën skemën e furnizimit të BE-së deri në fund të vitit dhe mund të përballojë të ndihmojë vendet e tjera.

“Ideja është që t’i shpërndajmë 150 mijë doza me fqinjtë e Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Kasarov, duke shtuar se Sofja ka kërkesa nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova dhe Bosnja.

Reuters raporton se Katsarov pret të marrë një përgjigje të premten nga Komisioni Evropian se si saktësisht do të shkojë ky process dhe nëse mund të dhurojë ose të shesë dozat.

Ai deklaroi se Bullgaria po synon t’i dhurojë kryesisht vaksinat AstraZeneca, për shkak të interesit të ulët për t’u vaksinuar me AstraZeneca në këtë shtet.

Javën e kaluar, presidenti Rumen Radev theksoi se Sofja synon të dhurojë një shumë të konsiderueshme vaksinash për Maqedoninë e Veriut, në përpjekje për përmirësimin e marrëdhënieve pasi Bullgaria vendosi veto ndaj Maqedonisë së Veriut për fillimin e negociatave të pranimit me Bashkimin Evropian./UBTNews

Exit mobile version