Politikanët bullgarë dështuan sërish në formimin e një qeverie pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit, ndërsa vendi mund të përballet me një tjetër votim nëse një përpjekje e tretë është e pasuksesshme.
Aleanca qendrore “Ne Vazhdojmë Ndryshimin – Bullgaria Demokratike” (PP-DB) nuk arriti të siguronte një shumicë në Asamblenë Kombëtare me një dhomë të vendit.
“Asnjë shumicë e qëndrueshme nuk mund të formohej në parlamentin aktual, i cili u zgjodh në qershor”, tha ish-kryeministri dhe anëtari i “Ne Vazhdojmë Ndryshimin”, Nikolai Denkov.
Fituesi i zgjedhjeve, aleanca e qendrës së djathtë GERB-SDS, në mënyrë të ngjashme nuk arriti të merrte mjaftueshëm mbështetje për të zgjedhur kandidatin e saj – Rosen Zhelyazkov për kryeministër.
Të dy aleancat kishin qeverisur në një koalicion joformal që nga viti 2023, por kërkuan zgjedhje të reja pasi nuk arritën të bien dakord për të zgjedhur kryeministrin e ri në mars. Bullgaria ka parë gjashtë zgjedhje parlamentare që nga prilli 2021.
Presidenti Rumen Radev tani ka shtatë ditë kohë për të siguruar mandatin e tretë dhe të fundit për të formuar një qeveri. Nëse edhe kjo dështon, do të duhet të thirret një tjetër votim, me shumë gjasa në vjeshtë. Një kabinet i përkohshëm po menaxhon punët e qeverisë derisa të formohet një administratë e re./UBTNews/