Dihet se buka është një nga produktet që nuk mungon asnjëherë në shtëpitë tona.
Aroma e saj kur sapo ka dalë nga furra, është e parezistueshme.
Buka është shoqëruese e çdo vakti gjatë ditës dhe shpeshherë ‘fajtorja’ e kilogramëve të tepërt.
Në stinën e verës të gjithë synojnë që të humbasin peshë, por dietat nuk lejojnë konsumimin e bukës.
Ndaj AgroWeb.org ju prezanton me një recetë të shëndetshme dhe që ju lejon të humbisni peshë.
Thekra është një drithë që ndryshe nga gruri, ka më pak kalori dhe më shumë fibër dhe ju mban më gjatë të ngopur.
Buka e thekrës është e pasur me vitamina B që i japin organizmit energji gjatë ditës dhe ndihmon sistemin tretës.
Pra, me këtë recetë ju do të përgatisni një bukë jo vetëm të shijshme, por edhe të shëndetshme.
Përbërësit:
500 gr miell thekre
1 lugë çaji kripë
11 gr maja e thatë
330 ml ujë i ngrohtë
Vaj
Përgatitja:
Në një tas të thellë shtoni miellin, kripën dhe majanë e bukës.
Përziejeni mirë me një lugë dhe më pas filloni të shtoni ujin ngadalë.
AgroWeb.org ju sugjeron që pasi të keni hedhur të gjithë sasinë e ujit, kalojeni brumin në tavolinë dhe punojeni me duar.
Merrni tasin dhe lyeni mirë me vaj, aty vendosni brumin dhe lëreni të pushojë për dy orë në një vend të ngrohtë.
Sigurohuni që tasin ta mbuloni ose me një pecetë kuzhine ose me qese kuzhine.
Pasi të ketë kaluar koha e nevojitur, lyeni një tavë mesatare me pak vaj dhe miell.
Kalojeni brumin tek tava dhe shtypeni lehtë me duar për ta hapur sa më mirë.
Mbulojeni përsëri me një pecetë dhe lëreni dhe dhjetë minuta që brumi të fryhet akoma dhe më shumë.
Para se ta fusni për ta pjekur, bëni disa prerje me një thikë në sipërfaqen e brumin.
Furrën vendoseni në 250 gradë dhe piqeni bukën për 20 minuta.
Nëse nuk dëshironi që korja e bukës t’ju dali e fortë, mjafton që ta spërkatni me pak ujë dhe kripë gjatë kohës që piqet në furrë.
Pasi ta hiqni nga furra, lëreni të ftohet pak para se ta nxirrni nga tava.
Këtë bukë mund ta ruani në qese letre ose të mbështjellë me pecetë të thatë.
Shija e saj do të jetë më e plotë se buka e zakonshme e grurit, duke qenë se thekra është më e shijshme.
Për më tepër ajo është më e shëndetshme dhe perfekte për t’u konsumuar nëse dëshironi të bini nga pesha, por nuk e lini dot bukën./AgroWeb