Aktori skocez Bryan Larkin thotë se përvoja intensive gjatë xhirimeve të filmit të tij më të ri nuk është diçka që do të dëshironte ta përjetonte në jetën reale.
Filmi i ri Jailbroken është xhiruar tërësisht brenda një qelie burgu. Larkin thotë se presioni psikologjik i këtij projekti e bën atë “ndoshta filmin më të mirë kundër burgut që mund të ekzistojë”.
Aktori 52-vjeçar, i rritur në East Kilbride në Scotland, luan rolin e Joe-s, një i burgosur i dhunshëm i cili, vetëm pak ditë para lirimit nga burgu, merr një telefonatë tronditëse ku mëson se ish-bashkëshortja dhe djali i tij janë rrëmbyer.
I armatosur vetëm me një telefon të kontrabanduar në qeli, ai futet në një garë me kohën për t’i shpëtuar, ndërsa është ende i mbyllur brenda burgut.
Filmi pati premierën botërore në Glasgow Film Festival të enjten në mbrëmje.
Në film luan edhe aktori veteran skocez David Hayman, i cili interpreton rolin e një gardiani burgu sadist.
Megjithatë, Larkin thotë se synimi i tij ishte të tregonte edhe anën njerëzore të personazhit.
“Do të shihni një njeri të dhunshëm dhe toksik,” tha ai. “Por edhe njerëzit më të prishur kanë diçka që e duan.”
Në rastin e Joe-s, motivimi i tij është të shpëtojë “një djalë që nuk ka asnjë kujtim për të”.
Për t’u futur në rol, Larkin punoi me regjisorin Vasily Chuprina dhe skenaristin Raymond Friel për tre muaj para fillimit të xhirimeve.
Së bashku ata u përpoqën të theksonin dobësitë e fshehura të personazhit Joe.
Por sapo nisën xhirimet, realiteti i setit të ngushtë filloi të ndikonte në gjendjen psikologjike të aktorit.
“Ka pasur momente kur ndihesha sikur ajo qeli ishte shtëpia ime,” tha Larkin.
Ai pranon se hapësira e mbyllur e bëri të vështirë të dilte nga karakteri, duke e bërë të ndihej territorial ndaj kujtdo që hynte në set.
Duke e vendosur publikun brenda një qelie me një njeri të dëshpëruar, filmi përpiqet të zhveshë aksionin tradicional dhe të fokusohet te psikologjia njerëzore dhe pasojat e një jete kriminale.
Larkin shpreson që udhëtimi i rëndë emocional i filmit të lërë një ndikim të fortë tek shikuesit.
“Nëse po mendon të bësh diçka që mund të të çojë në burg, shiko ‘Jailbroken’ para se ta bësh,” paralajmëroi ai.
Marrë dhe përshtatur nga BBC
