UBT News

Brukseli pro ngrirjes së 7.5 miliardë eurove për Hungarinë, shkak shqetësimet për sundimin e ligjit

Komisioni Evropian ka rekomanduar që 7.5 miliardë euro të fondeve të BE-së t’i ndaloheshin Hungarisë për shkak të shqetësimeve për sundimin e ligjit në vend.

Budapesti kishte kohë deri më 19 nëntor për të miratuar 17 reforma të negociuara me ekzekutivin e BE-së gjatë verës për të shmangur ngrirjen e kërcënuar nga Brukseli si pjesë e mekanizmit të tij të sundimit të ligjit, përcjell UBT News.

“Ndërsa një numër reformash janë ndërmarrë ose janë duke u zhvilluar, Hungaria dështoi të zbatojë në mënyrë adekuate aspektet qendrore të 17 masave të nevojshme korrigjuese…siç ishte zotuar”, tha Komisioni.

“Si rezultat, Komisioni ka vendosur të mbajë propozimin e tij fillestar të 18 shtatorit për të pezulluar 65% të angazhimeve për tre programe operacionale nën politikën e kohezionit, në vlerë prej 7.5 miliardë euro”, shtoi ai.

Komisioneri i Buxhetit, Johannes Hahn argumentoi se mekanizmi i ri i kushtëzimit të shtetit të së drejtës ishte “mjeti i duhur për t’u zbatuar” pasi ato reforma “nuk do të kishin ndodhur kurrë ndryshe”.

Zëvendës-Presidenti Ekzekutiv, Valdis Dombrovskis theksoi se “pikat thelbësore duhet të përmbushen të gjitha plotësisht përpara se Hungaria të mund të paraqesë kërkesën e saj për pagesë”.

“Me pak fjalë, asnjë fond nuk do të rrjedhë derisa pikat e rëndësishme të zbatohen siç duhet”, shtoi ai./euronews/UBTNews/

Exit mobile version