Përmes një komunikate, BE-ja konfirmon se ka ftuar Kosovën dhe Serbinë të shkojnë për takim në Bruksel, pas tensioneve të një nate më parë ne veriun e Kosovës.
Bashkimi Evropian ka dalë me një reagim një ditë pasi në veri të Kosovës u tensionua situata, për shkak të vendimit të Qeverisë për të zbatuar reciprocitetin me targa dhe me dokumente të lëshuara nga Serbia.
BE-ja ripërsërit se ideja për pezullimin e vendimit për targat dhe dokumentet ka qenë e Përfaqësuesit të Lartë evropian, Joseph Borell. Pas kësaj, njofton zyra për shtyp e BE-së, palët janë ftuar për takim të ndërmjetësuar në Bruksel.
“Pas pranimit nga Kosova të kërkesës së Joseph Borrell dhe ShBA-së për të shtyrë masat e planifikuara në lidhje me targat dhe kartat e identitetit, me kusht që të hiqen të gjitha barrierat, BE-ja ftoi të dyja palët të takohen në Bruksel për të diskutuar rrugën përpara”, thuhet në komunikatë.
Para kësaj, Brukseli qortoi Qeverinë që “bëri aksion të njëanshëm” por edhe serbët që bllokuan rrugët.
“Të gjithë të përfshirët duhet të qëndrojnë të qetë dhe çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm që rrezikon stabilitetin dhe sigurinë në terren dhe pengon lirinë e lëvizjes së të gjithë qytetarëve duhet të ndalet menjëherë”, thuhet në njoftimin e BE-së.