Ministrat e Jashtëm të BE-së kanë arritur një marrëveshje politike për t’i dhënë Ukrainës 500 milionë euro të tjera armë dhe pajisje ushtarake pas një takimi në Bruksel të hënën, përcjell UBT News.
Kryediplomati i bllokut, Josep Borrell, riafirmoi unitetin e bllokut kundër Rusisë, duke u zotuar të vazhdojë të gjitha llojet e mbështetjes për Ukrainën, duke përfshirë mbështetjen financiare, humanitare dhe ushtarake.
“Ne konsiderojmë se ajo që po ndodh në Ukrainë është një krim lufte, një krim masiv lufte i kryer nga forcat e armatosura ruse kundër popullit ukrainas. Dhe kjo nuk mund të mbetet pa përgjigje”, tha Borrell. “Dhe kjo është arsyeja pse ne mirëpresim komisionin hetimor të ngritur nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut. Ne mirëpresim hetimin nga prokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe kujtojmë urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që Rusia të ndalojë pushtimin e Ukrainës”.
Në të njëjtën kohë, mundësia e sanksioneve të mëtejshme u diskutua gjithashtu nga ministrat, duke përfshirë një embargo të diskutueshme të naftës – kundër Rusisë.
Polonia dhe shtetet baltike janë ende duke thirrur për veprime më të ashpra kundër Rusisë, duke përfshirë një ndalim total të tregtisë nga toka dhe nga deti.
Megjithatë, marrëveshja është larg, me disa vende të BE-së, duke përfshirë Gjermaninë, që frenohen për të shkuar më tej, veçanërisht kur bëhet fjalë për energjinë.
“Çështja për një embargo nafte nuk është çështje se a duam apo nuk e duam ne atë”, u tha gazetarëve të hënën Annalena Baerbock, ministrja e jashtme e Gjermanisë. “Është një çështje se sa shumë varemi nga nafta dhe është e ndryshme midis vendeve të ndryshme anëtare evropiane dhe kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që të flasim së bashku për qëndrueshmëri dhe se si mund ta reduktojmë varësinë tonë nga ato vende që importojnë naftë”.
Shtetet anëtare miratuan gjithashtu zyrtarisht planin e BE-së për të rritur sigurinë dhe mbrojtjen e saj deri në vitin 2030, i njohur si Busulla Strategjike./UBTNews/