Britania e Madhe njoftoi të premten se Ukrainës do t’i ndahen 580 milionë dollarë ndihmë ushtarake, në prag të samitit të Grupit të Kontaktit për Ukrainën.
Britania tha se, në bashkëpunim me Norvegjinë, 580 milionë dollarë do të shpenzohen për ta ndihmuar Kievin me qindra mijëra dronë luftarakë, sisteme të radarëve dhe mina antitanke, si dhe për kontrata për riparimin dhe mirëmbajtjen e automjeteve të blinduara të Ukrainës.
Sekretari i Mbrojtjes i Britanisë, John Healey dhe ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, do ta udhëheqin bashkërisht samitin e 27-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës të premten.
Në prag të takimit në Bruksel, ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, tha se çështje me rëndësi është forcimi i mbrojtjes ajrore të vendit të tij.
“Ukraina ka nevojë për një numër të mjaftueshëm sistemesh moderne si ato të tipit Patriot”, tha ai në një postim në rrjetet sociale.
“Nevojitet një vendim politik për furnizimin e këtyre sistemeve, me qëllim mbrojtjen e qyteteve, fshatrave dhe jetës së njerëzve tanë – veçanërisht nga kërcënimi i armëve balistike të Rusisë. Partnerët tanë kanë sisteme të tilla në dispozicion”, tha Umerov.
Forcat ruse e kanë përparësinë në luftën në Ukrainë, e cila tashmë ka hyrë në vitin e saj të katërt.
Zyrtarët ukrainas dhe analistët ushtarakë besojnë se Rusia po përgatitet ta nisë një ofensivë të re ushtarake në javët në vijim, për ta rritur trysninë dhe për t’i forcuar pozitat e Kremlinit në bisedimet për armëpushim.