UBT News

Britania kritikohet ashpër për hapjen e minierës së parë të qymyrit në tre dekada

Shkencëtarët, ambientalistët dhe madje edhe vetë këshilltarët e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për klimën kanë kritikuar ashpër vendimin e saj për të miratuar një plan për hapjen e minierës së parë të qymyrit në vend në tre dekada, pak më shumë se një vit pasi kombi u përpoq të bindte botën në samitin COP26 të largohej nga përdorimi i lëndëve djegëse fosile.

Michael Gove, sekretari i strehimit dhe komuniteteve në MB, miratoi të mërkurën planin për hapjen e minierës së qymyrit Whitehaven në Cumbria, një qark në Anglinë veriperëndimore që është shtëpia e Lek District, liqeni që është pjesë e Trashëgimisë Botërore.

Miniera e diskutueshme pritet të krijojë më shumë se 500 vende pune. Por dëmi mjedisor është poashtu i madh. Komiteti i Ndryshimeve Klimatike në Mbretërinë e Bashkuar (CCC), një grup i pavarur që këshillon qeverinë, ka vlerësuar se miniera dhe qymyri që do të prodhojë do të lëshojnë rreth 9 milionë ton emetime për ngrohjen e planetit çdo vit.

Mbështetësit e minierës argumentojnë se projekti do të krijojë vende pune dhe do të sigurojë lëndën djegëse fosile për prodhimin e çelikut britanik; megjithatë, 85% e qymyrit të nxjerrë do të eksportohet.

CCC e ka kritikuar vendimin. Miratimi i minierës u prit gjithashtu me kritika të ashpra nga shkencëtarët dhe ambientalistët.

“Një minierë e re qymyri në Cumbria nuk ka kuptim nga pikëpamja mjedisore apo ekonomike” tha Paul Ekins, profesor i Burimeve dhe Politikave Mjedisore në Institutin UCL. “Do të shtojë emetimet globale të CO2, pasi furnizimi i ri nuk do të zëvendësojë qymyrin tjetër, por do ta devijojë atë diku tjetër dhe do të bllokohet në vitet 2030 pasi industria e çelikut globalisht largohet nga qymyri”.

Ekins tha gjithashtu se miratimi i minierës “shkatërron reputacionin e Mbretërisë së Bashkuar si një lider global në veprimet klimatike dhe e bën të prekshme atë ndaj akuzave të justifikuara të hipokrizisë – duke u thënë vendeve të tjera të heqin qymyrin, ndërsa nuk e bëjnë vetë”./UBTNews/

Exit mobile version