Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham, ka deklaruar se Britania do të jetë “me Ukrainën 100%”, gjatë takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili u bë vizitori i parë ndërkombëtar në Downing Street pas hyrjes së tij në detyrë.
Burnham tha se vizita e Zelenskyt kishte për qëllim të dërgonte një mesazh të qartë për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Ukrainës.
“Volodymyr, dua që ju të dini se ne ju mbështesim. Mund të mbështeteni tek unë dhe tek ne. Mund të mbështeteni te Mbretëria e Bashkuar për aq kohë sa të duhet”, tha Burnham gjatë një takimi në bazën detare në Portsmouth.
Ndërkohë, Zelensky e cilësoi marrëdhënien mes Ukrainës dhe Britanisë si “më të fortë se kurrë”.
Gjatë takimit, Burnham njoftoi edhe ndarjen e teknologjisë së sistemit të ri britanik të luftës elektronike “Stone Cloak”, i cili do t’i mundësojë Ukrainës prodhimin e pajisjeve në shkallë të gjerë për mbrojtje ndaj dronëve.
Sipas autoriteteve britanike, kjo teknologji do të ndihmojë në goditjen e objektivave dhe në shpëtimin e jetëve të ukrainasve.
Dy liderët u takuan gjithashtu me mbi 200 ushtarë ukrainas që kanë marrë pjesë në një stërvitje detare në Mbretërinë e Bashkuar, pjesë e programit “Sea Breeze”, që synon forcimin e aftësive luftarake dhe masave kundër minave në Detin e Zi.
Burnham theksoi se Britania do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën për arritjen e një armëpushimi të plotë dhe rifillimin e negociatave, duke insistuar se Ukraina duhet të jetë pjesë e çdo procesi paqësor.
Mbretëria e Bashkuar ka angazhuar rreth 25 miliardë paund për mbështetjen e përpjekjeve të Ukrainës që nga nisja e luftës me Rusinë./A.K/
