UBT News

Britania e Madhe kundër planit të Trump: Ukraina në rrugë të pakthyeshme drejt NATO

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Keir Starmer, ka zhvilluar mëngjesin e kësaj të premteje, një bisedë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, ku ka ritheksuar mbështetjen e vendit për Ukrainën “për aq kohë sa do të jetë e nevojshme”. Starmer gjithashtu ka theksuar angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur aspiratat e Ukrainës për anëtarësimin në NATO.

Në një komunikatë të shpërndarë nga zëdhënësja e kryeministrit britanik, u tha se Starmer përsëriti angazhimin për të siguruar që Ukraina të jetë në një “rrugë të pakthyeshme” drejt anëtarësimit në NATO, siç ishte rënë dakord nga aleatët gjatë Samitit të Uashingtonit vitin e kaluar.

Ky angazhim vjen në një periudhë kur Ukraina po lufton për të mbrojtur sovranitetin e saj ndaj agresionit rus.

Komentet e kryeministrit vijnë pas deklaratave të Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA-së, Pete Hegseth, i cili në Bruksel këtë javë hodhi poshtë idenë e anëtarësimit të menjëhershëm të Ukrainës në NATO, duke theksuar se ky proces është i komplikuar dhe ka nevojë për më shumë diskutime.

Kujtojmë se biseda mes Zelenskyt dhe Starmer u zhvillua në nisje të Konferencës së Sigurisë në Mynih, ku liderët globalë janë mbledhur për të diskutuar mbi çështjet e sigurisë, me fokus kryesor tek Ukraina.

Në konferencën e Sigurisë nuk do të ketë asnjë delegacion rus, sipas zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.

Exit mobile version