Britania e Madhe i kërkoi të premten Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të arrestuar nga Serbia më 14 qershor.
Një ditë ma parë edhe Shtetet e Bashkuara kërkuan lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës.
Në një komunikatë të ministrisë së Jashtme britanike, thuhet se u bëhet thirrje palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin masat e njëanshme dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet.
“Ne përsërisim thirrjet tona për kryeministrin (Albin) Kurti dhe qeverinë e tij që të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të komunave në veri të Kosovës, të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga zyra alternative jashtë ndërtesave komunale dhe që njësitë e posaçme të policisë të tërhiqen nga ndërtesat komunale”, thuhet në komunikatë në të cilën theksohet se “zgjedhjet e reja, gjithëpërfshirëse duhet të shpallen sa më shpejt të jetë e mundur.
“Ne presim dhe inkurajojmë serbët e Kosovës që të marrin pjesë në ato zgjedhje”, thuhet tutje në deklaratë.