Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania kritikuan Iranin për shkeljen e zotimit të tij në lidhje me pasurimin e uraniumit.
Të tri vendet evropiane dhanë një deklaratë të përbashkët për Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) mbi zbatimin e angazhimeve të Iranit në kuadër të Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPoA) të mërkurën, shkruan AA.
“Fatkeqësisht, veprimet e Iranit mbeten në shkelje të qartë të zotimeve të tij në JCPoA dhe synimeve të deklaruara”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se Teherani vazhdoi të përshkallëzojë programin e tij bërthamor në “një nivel alarmues qartësisht përtej justifikimit të besueshëm civil”.
Ata gjithashtu vunë në dukje se Irani nuk i përmbushi angazhimet e tij për transparencë.
“Raportet e IAEA tregojnë se Irani ka vazhduar të akumulojë uranium të pasuruar shumë përtej kufijve të JCPoA, në 5%, 20% dhe, më alarmante, në 60%. Kjo do të thotë se pesha e rezervave të uraniumit të pasuruar të Iranit tani është mbi 18 herë më shumë se sasia e lejuar sipas JCPoA”, theksuan të tre vendet, duke thënë se do të ndërmarrin hapa diplomatikë për të “parandaluar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore”.
Një grup tjetër prej 63 vendeve nënshkroi të enjten një deklaratë të përbashkët duke denoncuar mungesën e bashkëpunimit të Iranit për Marrëveshjen e Masave Mbrojtëse të NPT.
Ata i kërkuan Iranit që të “sqarojë dhe zgjidhë këto çështje në një mënyrë të kënaqshme për IAEA”.
Në një deklaratë të veçantë, SHBA u bashkua me tre vendet evropiane për të kujtuar se Irani bëri zotime më 4 mars, në lidhje me çështjet e masave mbrojtëse.
Nuk ka pasur përparim, thuhej në deklaratë dhe shtoi se: “Në vend të kësaj, Irani vazhdon në refuzimin e tij të qëllimshëm për t’u angazhuar seriozisht me agjencinë (IAEA)”.
Më vonë, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, lëshoi një deklaratë pasi mori një letër nga ministrat e jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në lidhje me zbatimin e Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPoA).
“Siç është kërkuar, ua kam shpërndarë letrën pjesëmarrësve të tjerë të JCPoA, përkatësisht Kinës, Iranit dhe Federatës Ruse”, tha Borrell, duke shtuar se do të konsultohet me të gjithë pjesëmarrësit e JCPoA për rrugën përpara si koordinator.
JCPoA, e njohur gjithashtu si marrëveshja bërthamore e Iranit, u nënshkrua në vitin 2015 midis Iranit dhe P5+1, pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kinës, Francës, Rusisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së, plus Gjermanisë së bashku me BE-së.
Sipas marrëveshjes, Teherani është zotuar të kufizojë aktivitetin e tij bërthamor për qëllime civile, dhe në këmbim të kësaj, fuqitë botërore ranë dakord të heqin sanksionet e tyre ekonomike kundër Iranit.