Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian përshëndetën sot kapitullin e ri në marrëdhëniet e tyre – pas nënshkrimit të marrëveshjeve të reja të bashkëpunimit në sektorin e mbrojtjes dhe lehtësimin e flukseve tregtare – në samitin e tyre të parë zyrtar që nga dalja e vendit nga unioni, “Brexit”, sipas AP.
Kryeministri Keir Starmer, i cili u takua për bisedime me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe zyrtarët e tjerë të lartë të BE-së , në Londër – tha se marrëveshjet do të reduktonin burokracinë, do të rrisnin ekonominë britanike dhe do të rivendosin marrëdhëniet me bllokun tregtar prej 27 vendesh – që kur Britania e Madhe u largua nga BE-ja në vitin 2020.
“Britania e Madhe është rikthyer në skenën botërore. Kjo marrëveshje është një fitore për të dyja palët”, tha Starmer.
Von der Leyen i quajti bisedimet një “moment historik” – në dobi të të dyja palëve.
Gjithashtu, ajo tha se marrëveshja dërgon mesazhin – në një kohë trazirash globale – se Britania e Madhe dhe BE-ja janë partnerë natyrorë që qëndrojnë krah për krah në skenën globale.
Sipas marrëveshjeve, një partneritet i ri i mbrojtjes dhe sigurisë midis Britanisë së Madhe dhe BE-së do t’i lejojë BM-së të hyjë në një program kredie mbrojtëse të BE-së me vlerë 150 miliardë euro (170 miliardë dollarë).
Marrëveshje të tjera përfshijnë heqjen e disa kontrolleve ndaj produkteve shtazore dhe bimore për të lehtësuar tregtinë ushqimore përtej kufijve, dhe një zgjatje 12-vjeçare të një marrëveshjeje që lejon anijet e peshkimit të BE-së në ujërat e Britanisë së Madhe.
Ndërsa BE-ja është partneri më i madh tregtar i BM-së, Britania e Madhe ka regjistruar një rënie prej 21% të eksporteve – që nga “Brexit” për shkak të kontrolleve më të rrepta kufitare, dokumentacionit të mundimshëm dhe barrierave të tjera jo-tarifore.
Kufizimet e vizave pas Brexit-it kanë penguar gjithashtu aktivitetet ndërkufitare të profesionistëve, si bankierëve apo avokatëve, si dhe shkëmbimet kulturore, duke përfshirë grupet turistike dhe udhëtimet shkollore./atsh