Britania e Madhe do t’i përgjigjet me vendosmëri “sulmit të paprovokuar” të Rusisë ndaj Ukrainës, tha kryeministri Boris Johnson. Ai tha se ishte i tmerruar pasi presidenti Putin nisi një operacion ushtarak në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës
Putin tha se ai nuk kishte në plan të pushtonte vendin, por Ukraina e ka quajtur atë një “pushtim në shkallë të plotë”.
Kryeministri i cili po kryeson bisedimet emergjente të Cobra, sot gjatë ditës do të njoftojë sanksionet ndaj Rusisë.
Johnson shkroi në Twitter: “Presidenti Putin ka zgjedhur një rrugë gjakderdhjeje dhe shkatërrimi duke nisur këtë sulm të paprovokuar ndaj Ukrainës”.
Udhëheqësi i laburistëve, Sir Keir Starmer paralajmëroi se sulmi i Putinit ndaj Ukrainës do të “kishte pasoja të tmerrshme dhe tragjike që do të jehojnë në të gjithë botën dhe gjatë historisë”, dhe ai bëri thirrje për “sanksionet më të vështira të mundshme” kundër liderit rus.
Ai shtoi: “Nuk mund të ketë hapësirë për ekuivokim kur përballemi me të keqen që Putin ka lëshuar. Veprimet e tij paraqesin një kërcënim të madh për rendin ndërkombëtar nga i cili ne të gjithë varemi”.
Forcat ruse kanë nisur një sulm në Ukrainë, me raportime për shpërthime pranë qyteteve të mëdha anembanë vendit mëngjesin e ditës së sotme./UBTNews/