UBT News

Britania do të dërgojë avionë luftarakë në Arabinë Saudite pas sulmeve të Houthive

Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar se do të dislokojë avionë luftarakë Typhoon të Forcave Ajrore Mbretërore (RAF) në Arabinë Saudite, në përgjigje të përshkallëzimit të sulmeve me raketa dhe dronë nga rebelët Houthi.

Sipas deklaratës së publikuar të martën, misioni do të ketë karakter mbrojtës dhe synon të mbrojë qytetet dhe infrastrukturën strategjike saudite nga sulmet ajrore të grupit të mbështetur nga Irani.

Vendimi vjen pas një serie sulmesh me dronë dhe raketa balistike ndaj kryeqytetit Riad dhe objekteve energjetike në bregdetin e Arabisë Saudite.

“Këta avionë do të veprojnë në rol mbrojtës dhe nuk do të kryejnë sulme kundër Houthive”, thuhet në deklaratën e autoriteteve britanike.

Përveç avionëve luftarakë, Londra do të dërgojë edhe këshilltarë ushtarakë dhe një avion transportues A400M, si dhe do të ofrojë pajisje mbrojtëse dhe mbështetje për furnizimin me karburant në ajër. Kjo e fundit është zgjatur edhe për 90 ditë.

Në deklaratë theksohet se sulmet ndaj aeroportit të Riadit dëshmojnë përshkallëzimin e tensioneve në rajon dhe nevojën për mbështetje të mëtejshme ushtarake.

Rebelët Houthi, të përfshirë në konfliktin civil në Jemen, kanë ndërmarrë vazhdimisht sulme ndaj aeroporteve, objekteve të naftës dhe gazit, si dhe bazave ushtarake saudite, në kundërpërgjigje ndaj operacioneve ushtarake në territoret që kontrollojnë në Jemenin perëndimor, përfshirë kryeqytetin Sana.

Foto:  Associated Press

D.L

Exit mobile version