Mbretëria e Bashkuar dhe India kanë nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme tregtare, pas tre vitesh negociatash të ndërprera herë pas here, e cila synon të nxisë ndjeshëm shkëmbimet ekonomike mes dy vendeve.
Sipas marrëveshjes, firmave britanike do t’u lehtësohet eksporti në tregun indian, veçanërisht për produkte si uiski, automjete dhe mallra të tjera industriale, ndërsa India do të përfitojë nga ulja e tarifave për veshje dhe këpucë që eksporton në Mbretërinë e Bashkuar.
Sekretari britanik i Biznesit, Jonathan Reynolds, e përshkroi marrëveshjen si “masive” për bizneset dhe konsumatorët britanikë, duke shtuar se ajo pritet të sjellë përfitime të mëdha ekonomike në dekadat e ardhshme. Qeveria britanike vlerëson se kjo marrëveshje do të rrisë tregtinë vjetore dypalëshe me 25.5 miliardë paund deri në vitin 2040, përtej nivelit aktual prej 41 miliardë paund.
Marrëveshja nuk përfshin ndryshime në politikat e imigracionit, përfshirë edhe ato që lidhen me studentët indianë në Britani, sqaroi qeveria britanike.
Marrëveshja vjen teksa India synon të shndërrohet në ekonominë e tretë më të madhe në botë dhe të rrisë eksportet e saj në 1 trilion dollarë deri në vitin 2030. Mbretëria e Bashkuar, nga ana tjetër, po kërkon të forcojë pozitat e saj tregtare pas Brexit-it dhe në sfondin e tensioneve globale mbi tarifat.