Brexit nuk është shaka, qelitë në aeroportet britanike plot me europianë të dëbuar.
Një vajzë 25-vjeçare spanjolle nga Valencia u ul me avion në aeroportin Gatwick të Londrës për t’iu përgjigjur një interviste pune. U arrestua për tre ditë, ndërkohë që mund të rrinte tek e motra që prej vitesh jetonte në kryeqytetin britanik.
Një tjetër vajze nga Bilbao, po në të njëjtin aeroport, iu mor celulari dhe u mbyll në një qeli brenda godinës për 24 orë, me 6 gra të tjera. Edhe ato nënshtetase europiane, italiane, franceze, bullgare, faji i vetëm i të cilave ishte të kërkonin punë, diçka tërësisht normale për to në Britaninë e Madhe, deri në janarin e kaluar.
Por me Brexit gjithçka po ndryshon shumë shpejt, dhe efektet konkrete po bëhen gjithmonë e më të dukshme, me mëritë e fshehura në bashkëjetesën gjysmëshekullore në BE që po dalin në pah në forma të ndryshme.
Janë gjithmonë e më shumë nënshtetasit e BE-së që po shohin një trajtim shumë të ashpër nga ana e autoriteteve kufitare të Londrës, siç evidenton së fundmi edhe një reportazh i gazetës “The Guardian”, që ka intervistuar disa nga europianët e dëbuar, si të ishin kriminelë.
Sipas ekspertëve të së drejtës së emigracionit, përtej abuzimeve individuale, ekziston edhe një boshllëk ligjor në këto muajt e parë të Brexit. Edhe pse në rregulloren e zyrës së emigracionit bëhet e ditur qartësisht se kërkohet një paraprakisht një vizë për çdo person që dëshiron të punojë në Britani, po aq qartësisht shtohet se nënshtetasit e BE-së mund të marrin pjesë “në seminare, konferenca, intervista pune, dhe të nënshkruajnë marrëveshje dhe kontrata”.
E shkruar qartë, por jo për funksionarët e Home Office britanik që vijojnë me dëbimet që përfshijnë edhe 24 deri në 72 orë arresti, pothuajse në kushte izolimi për shkak të masave kundër COVID-19. E gjithë kjo, shesh herë pa i komunikuar vendimin as ambasadave përkatëse. Janë të shumta tashmë kërkesat nga europarlamentarët për presidenten e Komisionit Europian Ursula Van der Leyen për të marrë masa ndaj këtij fenomeni që sipas tyre shkon ndesh me frymën e marrëveshjes për Brezit të fillim vitit.