Ministria e Bujqësisë dhe Blegtorisë në Brazil ka njoftuar sot për pezullimin e certifikatës ndërkombëtare të shëndetit për eksportet e mishit të shpendëve dhe produkteve të tij, duke përfshirë edhe Republikën e Kosovës. Kjo masë është marrë pas konfirmimit të shpërthimit të sëmundjes së Newcastle në komunën e Anta Gorda në Rio Grande do Sul.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në Kosovë ka ngritur masa të rrepta të kontrollit për të gjitha ngarkesat që vijnë nga Brazili, duke përfshirë një kontroll të detajuar për të siguruar që të gjitha produktet janë në përputhje me rregullat ligjore dhe të sigurisë ushqimore. Kjo masë synon të parandalojë hyrjen e produkteve të rrezikshme në tregun kosovar.
Sëmundja e Newcastle është një infeksion i shpendëve që nuk shqetëson sigurinë ushqimore apo shëndetin publik, por ka pasoja sociale dhe ekonomike për sektorin e fermave të shpeztarisë. Ministria braziliane ka pezulluar eksportin për 44 shtete, duke përfshirë Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit.
Autoritetet në Kosovë, në bashkëpunim me agjencitë e tjera të kufirit dhe doganat, do të vazhdojnë të zbatonin masat për menaxhim të rrezikut dhe të kufizimit të shpërndarjes së sëmundjes në rajon./UBTNews/