UBT News

Brazil: Amazon konsiderohet “në rrezik” nga projektligjet ende të pa miratuara

Gati 40 biznese ushqimore të Mbretërisë së Bashkuar kanë kërcënuar të ndalojnë sigurimin e produkteve nga Brazili shkaku i reformave të propozuara për tokën e Amazon.

Një letër e hapur nga grupi i bën thirrje legjislaturës së Brazilit të refuzojë një projektligj që mund të legalizojë pushtimin privat të tokës publike. Në letër thuhet se propozimi mund të përshpejtojë shpyllëzimet në Amazon.

Votimi i projektligjit në Senat pritet brenda ditësh. Sainsbury’s, Aldi, Greggs, Co-Op, British Consortium Retail, dhe Hilton Food Group janë ndër organizatat kryesore që kanë nënshkruar letrën e hapur.

Kompanitë thonë se ata “e konsiderojnë Amazon-in si një pjesë jetike të sistemit tokësor që është thelbësore për sigurinë e planetit tonë, si dhe si një pjesë kritike e një të ardhme të begatë për brazilianët dhe të gjithë shoqërinë.”

Pyjet e shiut janë kritike për të zbutur efektet e ndryshimit të klimës, pasi ato ruajnë sasi të mëdha karboni.

Nën udhëheqjen e Presidentit Jair Bolsanaro, niveli i shpyllëzimeve në Amazon raportohet të jetë më i larti që nga viti 2008. Vetëm këtë vit rreth 430 mijë hektarë të Amazonës janë prerë ose djegur, sipas Monitorimit të Projektit Amazon të Andeve.

Pjesa dërrmuese e tokës pastrohet ose për të kullotur bagëtinë për eksport viçi, ose për të rritur sojë, e cila shkon për të ushqyer kafshë në të gjithë botën.

Në pril, në një samit që u organizua nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, Bolsanaro deklaroi se Brazili do t’i jepte fund prerjeve të paligjshme. Letra thotë se këto masa “bien ndesh” me këtë “rrëfim dhe retorikë”.

Ligji i ri do të lejonte që toka që është zënë ilegalisht pas vitit 2014 të dalë në shitje. Kjo potencialisht do të lejojë që blerësit e paligjshëm ta blejnë atë.

Masa të ngjashme të diskutueshme u paraqitën vitin e kaluar, por u tërhoqën pasi më shumë se 40 organizata bënë të njëjtin kërcënim mbi burimet e zinxhirit të furnizimit.

Mike Barrett, drejtori ekzekutiv i shkencës dhe konservimit në WWF-UK, lidhur me këtë problematikë ka shtuar se: “Ne nuk mund ta luftojmë krizën e klimës pa Amazonën, megjithatë e ardhmja e saj qëndron në ekuilibër ndërsa shpyllëzimi e shtyn atë më afër pikës së kolapsit”.

“Nëse miratohet, kjo votë në Kongresin brazilian do të ushqejë shkatërrim të mëtejshëm dhe do të vendosë rrezik më të madh në jetën e njerëzve dhe jetës së egër që e quajnë atë shtëpi. Ndërsa përpjekjet globale për të mbrojtur Amazon kërcënojnë të minohen, është inkurajuese të shohësh biznese të mëdha që japin alarmin”, deklaroi ai.

Mbështetësit e projektligjit thonë se kjo do të ndihmonte fermerët në shkallë të vogël për të sqaruar aktet e pronësisë për tokë.

Ndërsa, shumë figura publike të ShBA-ve dhe Brazilit i kanë kërkuar presidentit Joe Biden të mos nënshkruajë ndonjë marrëveshje mjedisore me Brazilin gjersa shpyllëzimet në Amazon po rriten. Aktori Leonardo DiCaprio dhe këngëtarët Katy Perry, Gilberto Gil dhe Caetano Veloso janë ndër ata që e nënshkruan atë./UBTNews

(Arjeta Ibishi, studente në Media dhe Komunikim në UBT)

Exit mobile version