Beteja ligjore mes Brad Pitt dhe Angelina Jolie për pronësinë e vreshtarisë së tyre franceze, Château Miraval, ka marrë një kthesë të re.
Sipas dokumenteve gjyqësore të dorëzuara në fund të tetorit, aktori amerikan po kërkon nga ish-bashkëshortja e tij kompensim prej 30 milionë eurosh, lidhur me shitjen e pjesës që ajo zotëronte në pronë.
Sipas raportimeve të revistës People, kërkesa e Pitt mbështetet në email-e të dërguara nga avokatët e Jolie vitin e kaluar, që janë paraqitur si prova në dosjen gjyqësore. Dokumentet e reja, të depozituara më 29 tetor, përfshijnë një seri komunikimesh që lidhen me shitjen e aksioneve të Jolie në vitin 2021, si dhe një email nga nëntori 2023, ku ekipi ligjor i aktores i përgjigjet padisë së Pitt.
Avokatët e Jolie shkruajnë: “Vështirësitë e procesit janë krijuar nga vetë zoti Pitt, ai po padit znj. Jolie e po kërkon 30 milionë euro dëmshpërblim. Për këtë arsye, duhet të mbulojë shpenzimet për përgatitjen e dokumenteve që vërtetojnë (ose jo) dëmet që pretendon.”
Në një tjetër komunikim të datës tetor 2023, thuhet se Pitt “po kërkonte dëmshpërblim të përhershëm për dëmin e supozuar që i ishte shkaktuar biznesit të Miraval”.
Ekipi ligjor i Jolie përmend “ngulmimin e Pitt për të mos dorëzuar dokumentet që lidhen me arsyet pse ai kërkonte një marrëveshje katërvjeçare konfidencialiteti, e cila mbulonte sjelljen e tij të papërshtatshme personale”.
Sipas tyre, të dhënat janë të rëndësishme për thelbin e çështjes dhe duhet të bëhen publike. Përplasja ligjore mes çiftit ka nisur më 2022, kur Pitt e paditi Jolie duke pretenduar se kishte shitur pjesën e saj në Miraval pa marrëveshje paraprake, në kundërshtim me marrëveshje verbale sipas së cilës asnjëri prej tyre nuk mund ta shiste pjesën e vet pa miratimin e tjetrit.
Jolie mohoi ekzistencën e një marrëveshjeje të tillë dhe iu kundërpërgjigj me padi të re, duke e akuzuar Pitt se po “zhvillon një luftë hakmarrëse” kundër saj. Saga ligjore për pronësinë e Château Miraval, një pasuri e mrekullueshme në jug të Francës ku çifti dikur u martua, vazhdon ende në gjykatë. /A.Z/UBT News/
