Gjatë premierës së filmit F1 në Mexico City, Brad Pitt dha një intervistë të rrallë për Entertainment Tonight ku foli për mësimet e jetës, uljet dhe ngritjet, si dhe rëndësinë e marrëdhënieve me njerëzit e afërt.
Pitt theksoi se me kalimin e viteve ai ka filluar ta vlerësojë gjithnjë e më shumë rrethin e njerëzve përreth tij.
“Pavarësisht gabimit, mëson prej tij dhe ecën para. Çdo gabim të çon në suksesin e radhës. Ndërsa plakesh e kupton sa e rëndësishme është të rrethohesh me njerëz që i njeh, i do dhe që të duan. Miq, familje dhe kaq. Çdo gjë tjetër fillon nga aty, është një ekuacion mjaft i thjeshtë”, tha ai.
Kur u pyet nëse xhirimi i një filmi aksion e drejtimi i makinave ishte strehë nga vëmendja e medias, ai u përgjigj:
“Nuk e shoh në atë mënyrë. Vëmendja e medias ka qenë gjithmonë një gjë e vështirë me të cilën më është dashur të jetoj, ndonjëherë më shumë, ndonjëherë më pak, ndërsa bëj atë që dua vërtet. Është diçka që mund të të hajë kohën dhe nervat, nëse e lejon”.
Pavarësisht viteve të ekspozimit publik, Pitt thotë se tani ndihet i qëndrueshëm.
“Jeta ime është e qetë. Ndihem ngrohtësi, siguri, me miqtë, familjen, me vetëdijen se kush jam. Çdo gjë tjetër është si mizë që gumëzhin rreth teje”, tha ai.
Pitt dhe Angelina Jolie u divorcuan më 2016 dhe pas vitesh procedurash ligjore, divorci u finalizua zyrtarisht në dhjetor 2024. Pitt dhe Jolie kanë gjashtë fëmijë, me të cilët aktori nuk ka marrëdhënie të mira. Që nga fundi i vitit 2022, Pitt ka qenë në një lidhje me stilisten e bizhuterive Ines de Ramon.