Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka konfirmuar përfshirjen e saj në mekanizmin e Eurosistemit për transaksionet REPO me bankat qendrore, EUREP, të themeluar nga Banka Qendrore Evropiane (BQE).
Sipas BQK-së, kjo përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e kornizës për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe menaxhimin e likuiditetit në euro.
Aktualisht, BQK-ja ka qasje në një linjë REPO deri në 100 milionë euro, e vlefshme deri më 31 janar 2027. Përfshirja në EUREP, sipas bankës qendrore, paraqet kalimin drejt një kornize më të qëndrueshme të Eurosistemit për sigurimin e likuiditetit në euro për bankat qendrore jashtë zonës së euros.
Në kuadër të EUREP, bankat qendrore të pranueshme mund të sigurojnë likuiditet në euro kundrejt kolateralit cilësor të denominuar në euro. Kapaciteti maksimal i një linje individuale mund të arrijë deri në 50 miliardë euro, në varësi të kërkesave dhe aranzhimeve operacionale të Eurosistemit.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, e ka cilësuar përfshirjen në EUREP si një avancim të rëndësishëm për rrjetin e sigurisë financiare të Kosovës.
“Qasja në kornizën e avancuar EUREP forcon ndjeshëm instrumentet që BQK ka në dispozicion për ruajtjen e likuiditetit dhe stabilitetit financiar”, ka deklaruar Ismaili.
Sipas tij, ky mekanizëm përbën një shtresë shtesë mbrojtjeje krahas pozitës së fortë të kapitalit dhe likuiditetit të sektorit bankar në Kosovë, si dhe rezervave dhe mekanizmave ekzistues të stabilitetit.
Ismaili ka theksuar se përfshirja në EUREP është edhe një sinjal për qytetarët, bizneset dhe institucionet financiare se sistemi financiar i Kosovës është stabil, likuid dhe i mirëkapitalizuar.
BQK-ja ka vlerësuar gjithashtu se ky zhvillim pasqyron forcimin e bashkëpunimit institucional me bankat qendrore evropiane dhe Eurosistemin./A.K/
